Vitia: Objektivi ynë mbetet vaksinimi i 60% të qytetarëve

Vaksinimi masiv kundër COVID-19 ka filluar sot në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se qëllimi i tij është vaksinimi i 60% i qytetarëve në nivel vendi.

“Tani më kemi kaluar shifrën 100 mijë të vaksinuarve dhe objektivi ynë mbetet 60% të qytetarëve. Me punën dhe përkushtimin e të gjithëve do të arrihet kjo kategori”, tha ministri.

Ai para mediave tregoi se MSh në bashkëpunim me komunat e Kosovës kanë krijuar hapësira të nevojshme si dhe kanë shtuar kapacitetet prej 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi nga 89 sa ishin deri më tani.

Duke mos treguar shifrën e saktë se sa vaksina janë aktualisht në stok, Vitia deklaroi se “tani për momentin kemi një numër relativisht komod në stoqet tona”.

Tutje, ministri Vitia potencoi se deri në fund të muajit do të vijë kontingjenti i parë me doza të vaksinave nga kontrata e nënshkruar me kompaninë “Pfizer”.

“Deri në fund të muajit pritet të vijë kontingjenti i parë i vaksinave nga kontrata që e kemi siguruar me kompaninë Pfizer edhe diku rreth 40 mijë doza pritet të vijnë gjatë këtij muaji nga COVAX”, tha ai.

“Deri në fund të vitit do të kemi në dispozicion rreth 2 milionë doza të vaksinave anti-COVID, dhe nëse e bëjmë një llogaritje i bie që brenda muajit të kemi mundësinë që brenda muajit të vaksinojmë 320 mijë qytetarë”, tregon tutje.

Vaksinimi masiv do të vazhdojë deri më datën 15 dhjetor.

Fushata e vaksinimit në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, deri më tani janë vaksinuar 99,394 qytetarë.