Vitia: Në Kosovë po dominon varianti britanik i coronavirusit me mbi 95 për qind

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konference për media tha se masat shtesë kundër COVID-19 që kanë hyrë në fuqi sot janë të nevojshme për shkak se, siç thotë ai, situata është shumë e rënduar.

Ministri Vitia tha se varianti britanik i coronavirusit është më i rrezikshëm dhe përhapet më shpejt e prek edhe të rinjtë.

“Tani në Kosovë, varianti i ri britanik i virusit është dominant me mbi 95 për qind. Ky ka qenë alarmi kryesor tek ne, sepse ky variant, jo vetëm që shpërndahet më shpejt, por është më agresiv dhe prek moshat e reja dhe një nga bazat e vendimeve që kemi marrë është se nuk janë vetëm të rrezikuar vetëm moshat e shtyra, mirëpo tani janë të rrezikuar edhe rinia”, u shpreh Vitia në një konferencë për media të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Vitia bëri apel që të respektohen masat, duke shtuar se deri sa të vaksinohet të gjithë qytetarët nuk janë të sigurt nga kjo pandemi.

“I lusim të gjithë qytetarët që t’i përfillin masat. Qeveria po punon shume që t’i sigurojë vaksinat sa më shpejt. Po punojmë të gjithë, jo veç Ministria e Shëndetësisë, por i tërë kabineti qeveritar, duke nisur nga kryeministri Kurti e edhe presidentja Osmani. Atë që kemi thënë dhe është treguar e saktë, pavarësisht vaksinimit na duhet t’i respektojmë masat bazike, si maska, distanca, higjiena. Kemi mbi 900 pacientë të dyshuar e mbi 700 pacientë me oksiogjenoterapi e disa prej tyre me gjendje të rëndë”, u shpreh Vitia.