Vitia: Në Kosovë janë 1000 teste për COVID-19

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë 1000 teste për personat të cilët dyshohet më COVID-19, ndërsa shumë shpejtë pritet të vijnë edhe 7000 të tjerë.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media.

“Momentalisht në Institutin e Shëndetësisë Publike janë 1000 teste dhe pardje me urgjencë janë porositur edhe 7 mijë të tjera që do të vijnë në fillim të javës që vjen dhe po ashtu është përgatitur kërkesa edhe për teste shtesë pas tyre. 13 pacientë janë duke u trajtuar në QKUK dhe janë në gjendje stabile përvec personit 77 vjecar, i cili herë pas here ka nevojë se për oksigjenoterapi”, tha Vitia.

Kujtojmë se në Kosovë, nga 13 marsi deri më sot janë shënuar 20 persona të prekur me coronavirus.

Ndërsa në botë ky numër ka arritur në 219,565 persona. Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 84,006 persona janë shëruar dhe 8,941 kanë vdekur.

Vendi me më së shumti të prekur me coronavirus në botë është Kina, me 81,118 të prekur, prej tyre 70,506 janë shëruar dhe 3,249 kanë vdekur. Vendi i dytë me më së shumti të prekur është Italia, me 35,713 persona të prekur me coronavirus, 4,025 persona të shëruar dhe 2,978 të vdekur.