Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia: Në katër javët e ardhshme do të bëjmë fushatë në çdo lagje e fshat të Prishtinës

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, ka bërë të ditur që fushatën zgjedhore do ta vazhdojë në gjithë kryeqytetin në katër javët e ardhshme.

“Në katër javët që kemi përpara do të jemi në çdo lagje e fshat të qytetit për të paraqitur planet tona për kryeqytetin. Do të paraqesim ëndrrën tonë për Prishtinën”, tha Vitia në një postim në Facebook.

I njëjti tha se së bashku me aktivistët dhe vullnetarët e LVV – së do të trokasin në çdo derë të qytetarëve dhe se së bashku do të flasin për alternativën që ata kanë.

“Me këtë frymë do ta sjellim ndryshimin e do ta sigurojmë fitoren tonë të re, e cila do të jetë e secilit prej nesh”, tha ai.

Tutje Vitia falënderoi qytetarët që e votuan atë në rundin e parë të zgjedhjeve.

“Prishtina mbrëmë e ka vlerësuar planin tonë për kryeqytetin, duke na vendosur në avantazh në këtë garë”, tha Vitia. “Ne jemi të gatshëm dhe do të jemi në ballë të sfidës së re të vendosur nga qytetarët”, shtoi ai.

I njëjti falënderoi dhe komisionerët dhe vëzhguesit që punuan gjatë ditës së djeshme.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura dje, Arben Vitia mori 42.26% të votave duke shkuar në balotazh me kandidatin për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, i cili mori 29.34% të votave.