Foto: Kallxo.com

Vitia në izolim, kërkohen pajisje elementare nga Ministria e Shëndetësisë

Kur ka kaluar gati një javë që kur Vitia ka hyrë në karantinë, vazhdimisht është kërkuar ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë kurse edhe sot përballet me pajisje mjekësore elementare.

Sipas drejtoreshës së QKMF-së, Vjollca Kadolli, veshjet mbrojtëse, maskat dhe dorëzat, janë në mungesë në QKMF në Viti.

“Në bazë të statistikave që posedoj në QKMF në Viti dhe atë të Pozheranit, në 24 orët e fundit ndihmë kanë kërkuar mbi 130 persona, por për fat të mirë nuk kanë pasur simptoma të Covid-19”, tha Kadolli për KALLXO.com.

Ajo gjithashtu tha se deri dje kanë pasur pajisje adekuate për t’u përballur me virusin ndërsa për ditën e sotme nuk kanë.

“Në mëngjes e kam dërguar një kërkesë urgjente në Ministri të Shëndetësisë me të cilën e kam njoftuar se duhet të na pajisin me mjete adekuate, si veshje mbrojtëse, dorëza dhe maska. Shpresoj që Ministria të refkeltojë brenda ditës”, tha ajo.

Pamjet në qytetin e Vitisë tregojnë për gjendje gatishmërie në tendën e ngritur për gjendjen aktuale, kurse Komuna edhe sot ka vazhduar me pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe shesheve të qytetit.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Dje janë diagnostifikuar edhe dy persona tjerë nga Gjakova.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.