Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia: Në disa klinika ka më shumë specializantë sesa pacientë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se klinikat në Shërbimit Spitalor të Kosovës janë mbingarkuar me specializantë të rinj. Sipas ministrit Vitia ka raste kur janë 12 specializantë dhe kanë vetëm një mentor klinik, e që sipas ligjit ku numër nuk do duhej të kalonte mbi tre specializant për mentor.

Vitia ka kritikuar rritjen e numrit të specializantëve, siç ka thënë ai, pa kriter, meqë kjo ka reflektuar keq në shumë ambulanta nëpër komuna, pasi ato kanë arritur në stadin e nevojës për ndërprerjen e shërbimeve pikërisht për shkak se një numër i madh i mjekëve kanë vijuar shkollimin specialistik.

“120 specializantë të pranuar, nuk dihet se nga ku kanë ardhur. Janë 12 specializantë për 1 mentor klinik. Pavarësisht ndjeshmërisë, problemet me specializantët kanë filluar para 20 vjetëve. Me keqardhje mund të konstatoj se procesi i specializantëve ka qenë i pabazuar në evidencë. Disa klinika po ankohen për shkak se tani po kanë më shumë personel shëndetësorë se pacientë. Ju thatë që institucionet shëndetësore kanë dërguar kërkesa, por shqetësimi i tyre ka qenë që kanë mbetur pa staf shëndetësor për shkak të specializimit. Për shkak të kësaj, shumë ambulanta nëpër komuna, kanë mbetur pa shërbime. Procesi është bërë pa analizë dhe pa evidenca dhe shërbimit tonë shëndetësorë do t’i shkaktojë dëme të pariparueshme”, ka thënë Vitia.

Kjo deklaratë e ministrit Vitia, u bë pas deklaratave të ish ministrit Armend Zemaj, i cili ka lavdëruar procesin e angazhimit të specializantëve duke thënë se është procesi më i suksesshëm në shëndetësi në 5 vitet e fundit.

“Procesi i specializimit në mungesë të 5 viteve, është më i suksesshmi që e ka bërë Kosova dhe jo Armendi. Në Odën e Mjekëve çdo vit janë çregjistruar 100 ose mbi 100 mjekë që e kanë lëshuar Kosovën. Gjithçka ka qenë e bazuar në bazë të planit strategjik. Gjithçka ka qenë sipas kërkesave të klinikave dhe institucioneve shëndetësore. Para procesit të specializimit 600 mjekë kanë qenë të papunë. Mosha mesatare e mjekëve në Kosovë është 53-56 vjet dhe procesi i specializantëve është në bazë të kërkesave dhe nevojës, sepse shumë klinika kanë qenë para mbylljes, sidomos nëpër Spitalet Regjionale”, ka deklaruar Zemaj në Komisionin parlamentar për Shëndetësi.