Vitia: Në 7 vjetët e fundit është hera e parë që shifra e ikjes së mjekëve është ulur
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se është hera e parë në shtatë vjetët e fundit që shifrat e ikjes së mjekëve nga Kosova janë ulur.
Deklarata e tij në Kuvend, ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se nga ikja e mjekëve do të kolapsojë sistemi shëndetësor.
Vitia po ashtu tha se në Kosovën e pasluftës kurrë më shumë s’kanë qenë të furnizuara me barna QKUK-ja dhe spitalet rajonale.
“Në 7 vjetët e fundit është hera e parë që shifra e ikjes së mjekëve është ulur. Shikoni shifrat. Tha [Haxhiu] se statuti i SHSKUK-së po i mbyll disa shërbime e ne qytetarë të nderuar çdo ditë po hapim shërbime të reja dhe kjo është një e pavërtetë e radhës. Tha për mungesë të barnave, që situata kurrë s’ka qenë më keq, është një e pavërtetë tjetër. Në Kosovën e pasluftës kurrë më shumë s’kanë qenë të furnizuara QKUK dhe spitalet rajonale. Përmendi fasadimet dhe renovimet në shëndetësi. Do të tregoj se çfarë problemi kemi gjetur gjatë këtyre renovimeve. E përmendi Klinikën Emergjente që është rinovuar me shtretër nga një Klinikë tjetër- një e pavërtetë tjetër. Ne i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet që kemi nëse nuk shfrytëzohen nëpër klinika”- ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në deklarimet jashtë rendit të ditës ka folur për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova duke thënë se është pasojë e keqqeverisjes.
“Deri më 1 qershor 2024, për 3 vite e gjysmë, mbi 3860 profesionistë shëndetësorë kanë ikur nga Kosova. Ikja e profesionistëve shëndetësorë është shndërruar në dukuri shqetësuese sepse ne nuk mund të përgatisim profesionistë shëndetësorë aq sa po na ikin. Kjo do ta kolapsojë gjendjen në shëndetësinë tonë”- ka theksuar ai.
Ai ka thënë se mungesa e barnave nuk përben lajm për këtë Qeveri.