Vitia: Kosova në mesin e vendeve me rrezik të ulët në raport me coronavirusin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha sot se deri tash në Kosovë nuk është konfirmuar akoma ndonjë rast me coronavirus dhe se masat e marra nga Qeveria kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së coronavirusit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

“Në këtë kuadër, përveç këtyre masave të një dite më parë, sot, të gjitha institucioneve shëndetësore publike dhe private do t’u dërgohet Qarkorja Informative me rekomandime specifike që kanë për qëllim mbrojtjen e stafit shëndetësor, sigurinë e pacientëve dhe qytetarëve që kërkojnë shërbime në këto institucione”, tha ministri.

Ministri tha gjithashtu se janë bërë përgatitjet dhe së shpejti qytetarët e Kosovës do ta marrin përmes një SMS nga Posta numrin në të cilin do të mund të thërrasin të marrin këshilla mjekësore dhe udhëzime si të veprojnë kur kanë shqetësime lidhur me coronavirusin.

“D.m.th. përveç numrave 112, 192 (Policia) 193 (Zjarrfikësit) dhe 194 (Shërbimet emergjente), tani qytetarët do t’i marrin këshillat e nevojshme dhe përmes numrave të tjerë të cilët Ministria do t’ua vë në dispozicion 24/7”, tha ai.

Rekomandimet nga Qarkorja informative:

  1. Të kufizohet rreptë lëvizja e shoqëruesve dhe familjarëve të pacientëve, si dhe prezenca e personave të pauniformuar në ambientet e urgjencës/emergjencës dhe në institucionet spitalore.
  2. Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private), të kenë të përgatitura dhoma të veçanta për rastet e dyshimta (posaçërisht në Klinikën Infektive të QKUK-së, si dhe në institucionet tjera spitalore të vendit)
  3. Të realizohet kontrolli maksimal dhe inspektimet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private)
  4. Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private), të shtohet kontrolli i brendshëm profesional në baza ditore duke implementuar rekomandimet e instancave të larta të Kosovës
  5. Të rritet në maksimum përkujdesja e stafit mjekësor dhe jo mjekësor ndaj higjienës personale dhe institucionale
  6. Të aplikohen nga personeli shëndetësor masat mbrojtëse konform udhëzimeve të OBSH të e ECDC-së, të përditësuara nga IKSHPK
  7. Të vendosen materialet informuese dhe edukative për parandalimin e COVID-19 në institucionet shëndetësore, dhe në institucionet tjera publike dhe private – nga përgjegjësit e tyre
  8. Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (përfshirë gjithë qendrat e mjekësisë familjare ne vartësi të saj), Spitalet Rajonale, si dhe ambulancat dhe spitalet private ti raportojnë informatat rreth rasteve të rënda klinike mbi baza ditore direkte (sipas udhëzimeve) dhe me mjetet më të shpejta të Institutet Rajonale të Shëndetësisë Publike
  9. Institutet Rajonale të Shëndetësisë Publike do t’i përpunojnë të dhënat dhe varësisht nga ecuria epidemiologjike raportojnë menjëherë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike me mjetin më të shpejtë të komunikimit dhe dorëzojnë raportet javore të kompletuara në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
  10. Marrja e mostrave për konfirmim laboratorik do të bëhet vetëm te pacientët me simptome klinike të bazuara në definim të rastit në Klinikën Infektive të QKUK.
  11. Personeli i Klinikës Infektive të QKUK i dërgon mostrat për testim laboratorik dhe raporton për të gjitha rastet e hospitalizuara duke e plotësuar pyetësorin përkatës.
  12. Rekomandohet shmangie e udhëtimeve në vende të cilat janë me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me listën e Organizatës Botërore Shëndetësore.
  13. Të përforcohet pjsëmarrja e vullnetarëve të Kryqit të Kuq dhe vullnetarëve tjerë , në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në të gjitha vendkalimet kufitare.

Rekomandimet për qytetarët:

  1. Individët të praktikojnë masa parandaluese të përditshme, si larja e shpeshtë e duarve, qëndrimi në shtëpi kur janë të sëmurë dhe mbajtje e higjienës respiratore (mbulimi me gropëzën e bërrylit gjatë kollitjes dhe teshtitjeve).
  2. Të mbahet të paktën 1 metër distancë midis vetes dhe kujtdo që kollitet ose teshtin,
  3. Të shmanget frekuentimi në qendra tregtare, kafiteri, restorane dhe klube të natës
  4. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve dhe klubeve të natës pas orës 23:00.
  5. Objektet hotelierike, restorantet, kafiteritë të mbajnë distancë strikte së paku mbi 1,5 metra në mes tavolinave dhe së paku 1 metër distancë të klientëve mes veti.
  6. Ndërmarrjet dhe kompanitë  të hartojnë plane për të punuar nga shtëpia për aq sa është e mundur.
  7. Personat e rritur dhe kategoritë me rrezik të lartë të qytetarëve me sëmundje kronike, ta rrallojnë lëvizjen dhe të shmangin transportin publik.
  8. Rekomandohet shmangie e udhëtimeve në vende të cilat janë me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me listën e Organizatës Botërore Shëndetësore.

Naser Ramadani: 10 raste të dyshuara me coronavirus po testohen