Vitia: Kemi rekomandim nga IKShPK që mësimi mos të fillojë më 26 shtator

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në raportimin e tij para Komisionit për Shëndetësi, bëri të ditur se ka rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që nxënësit të mos fillojnë mësimin as pas datës 26 shtator, siç është planifikuar.

“Ne nga e premtja kemi filluar diskutimet me ministritë e linjës, sidomos me të Arsimit, për hapat që do ndërmarrim. Rekomandimet e Institutit kanë qenë që shkollat të ndërpriten edhe kjo të vazhdohet. Por jemi duke diskutuar që të bëjmë maksimumin që kjo të respektohet dhe në anën tjetër që nuk e dëmtojnë sistemin arsimor”, tha Vitia.

Sipas Vitisë, janë mbi 50 raste të fëmijëve me COVID-19 që kanë qenë në spitalizim.

“Sistemi arsimor, përveç atij shëndetësor është një nga më të goditurit nga pandemia”, tha ministri para deputetëve.

Vitia theksoi se Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë dhe organizatat tjera, janë duke bërë thirrje të vazhdueshme, që jo vetëm mësimdhënësit të vaksinohen, por edhe prindërit që kur të fillojë procesi të mos ketë nevojë të mbyllen pasi të paraqiten raste.

“Nëse me variantin fillestar janë paraqitur një ose dy raste është mbyllur një klasë, e nëse me ‘Delta’ paraqiten më shumë raste për shkak të përhapjes me të shpejtë, duhet të mbyllet e gjithë shkolla. Jemi duke bërë përgatitje që nëse hapen shkollat mos të mbyllen më”, tha Vitia në Komisionin për Shëndetësi.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të shtyjë procesin e fillimit të vitit të ri shkollor deri më 26 shtator, ndërsa ka mbyllur edhe çerdhet.

Viti i ri shkollor ishte planifikuar të fillojë më 1 shtator, por pas rritjeve të rasteve me COVID-19, ishte shtyrë për 13 shtator e më pas me një vendim të ri, është rishtyrë deri më 26 shtator.

 

“EdGuard”: Qeveria duhet të shtojë kapacitetet, jo të mbyllë shkollat e çerdhet

.