Vitia: Kemi refuzuar disa donacione të vaksinave që kishin afat të shkurtë të skadimit

Ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar se ministria të cilën ai e drejton në bashkëpunim me komitetin për vaksinim kanë refuzuar disa nga donacionet e vaksinave kundër COVID-19.

Ai tha se trupa e komitetit për vaksinim ka rekomanduar që të mos pranohen disa nga donacionet me vaksina pasi që vaksinat të cilët priteshin të vinin në Kosovë kishin një afat të shkurtë të skadimit.

“Po, është e vërtetë janë refuzuar disa donacione për të vetmen arsye sepse komiteti i vaksinimit i cili gjendet në ministrin e shëndetësisë është një trup profesional dhe rekomandimet e tyre natyrisht se i marrim parasysh. Kanë qenë oferta për donacion për vaksina “AstraZeneca” pas donacionit që kemi marr nga Norvegjia e të cilat poashtu kanë pasur një afat skadence jo optimal që do të na kishte garantuar se mund t’i administrojmë tek qytetarët tonë dhe me rekomadimin e komitetit të vaksinimit natyrisht ne me mirësjellje i kemi falënderuar dhe i kemi refuzuar sepse ka pasur rrezik që të mos mund t’i administrojmë”, tregoi ministri.

Tre ditë më parë ministria e shëndetësisë është detyruar t’i hedh në mbeturina mbi 133 mijë vaksinat të kompanisë “AstraZeneca”, pasi këtyre të fundit u kishte skaduar afati.

Në anën tjetër, kryetari I sindikatës së shëndetësisë, Blerim Syla, në një intervistë dhënë dje për KALLXO.com tha se donacionet të cilët dhurohen në Kosovë duhet të shikohen nëse vaksinat kanë afat të përdorimit minimum deri në gjashtë muaj ose në të kundërtën nuk duhet të pranohen.

A po bëhet Kosova depo e vaksinave të skaduara?