Vitia: Kapacitetet janë që të administrohen deri në 17 mijë vaksina brenda ditës

 

Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Arben Vitia është duke planifikuar të rriten kapacitetet për vaksinimin kundër COVID-19 në nivel vendi brenda një dite.

“Kapacitetet janë që të administrohen deri në 17 mijë vaksina brenda dite, deri më tani janë administruar 240 mijë doza, ndërsa ditët në vijim presim dhe lusim qytetarët që këto doza të rriten vazhdimisht”, tha Vitia në konferencën për media në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë.

Ai tutje potencoi se efektet anësore deri më tani nga 240 mijë doza të vaksinave janë të papërfillshme në krahasim më përfitimet e vaksinimit.

“Vaksinimi është rruga e vetme për ta fituar betejën me COVID-19. Rruga e vetme në këtë kohë për të siguruar shëndetin e popullatës, mirëqenien sociale e ekonomike, dhe, nga sa po e shoh, është edhe mënyra e vetme për të siguruar edhe lëvizjen e qytetarëve tanë në shtet tjera”, tha Vitia para mediave.

Ministri tha se kanë siguruar 2 milionë vaksina dhe se kanë siguruar një stok përmes së cilit sigurohet procesi i mirëfilltë i vaksinimit masiv kundër COVID-19.

Kosova nga fillimi i imunizimit ka përdoruar dy lloje të vaksinave, ‘AstraZeneca’ dhe ‘Pfizer’, për këtë Vitia gjatë konferencës potencoi se vendi ynë është ndër vendet e rralla të rajonit i cili nuk ka pranuar vaksina të paaprovuara nga EMA dhe FDA, dy agjenci me kredibilitet botëror për aprovimin e cilësisë së  produkteve medicinale. Andaj ai kërkoi nga qytetarët të aplikojnë për vaksinimi në platformës e- Kosova ku qytetarët do të mund të aplikojnë për vete dhe për pesë anëtarë të tjerë të familjes.

Vitia theksoi se nuk do të marrin as vaksinë ruse dhe as kineze.

“Do të marrim vetëm vaksina të aprovuara dhe nuk do të marrim as vaksina ruse as kineze. Kjo nuk ka të bëjë fare me politikën, por me sigurinë e vaksinave dhe qytetarëve tanë. Sot nuk është koha të stigmatizohen vaksinat e dëshmuara, siç bëjnë individ të papërgjegjshëm përmes përhapjes së panikut në publik. Sot është koha t’i themi po vaksinës ‘AstraZeneca’ me të cilën u vaksinova edhe unë”, theksoi Vitia.

Fushata e vaksinimit në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, dhe deri më tani më dozën e parë janë vaksinuar 236 mijë e 35 qytetarë. Dhënia e dozës së dytë me vaksinë kundër SARS-CoV-2 ka filluar më 9 qershor të këtij viti dhe deri më tani janë vaksinuar 57 mijë e 994 qytetarë.