Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Foto: Arben Vitia, Facebook

Vitia: Fertilizimi i asistuar mjekësor së shpejti edhe në institucionet publike

Fertilizimi i asistuar mjekësor së shpejti do të ofrohet edhe në institucionet publike. Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pa dhënë ndonjë datë të caktuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Për ta realizuar këtë, Vitia ka deklaruar se i kanë futur në listë produktet e nevojshme mjekësore në Listën, si parakusht për ofrimin e shërbimit.

“Sapo e kam nënshkruar përditësimin më të ri të Listës të Produkteve Mjekësore, në të cilin janë futur produktet e nevojshme për procedurën e fertilizimit in-vitro sipas protokoleve referente” – ka shkruar ministri Vitia në Facebook, më 02.10.2024.

Për këto produkte, ai ka thënë se deri më tani qytetarët kanë shpenzuar 1 mijë deri në 1 mijë e 500 euro në sektorin privat, e së shpejti do t’i marrin falas.

“Një falënderim i veçantë për Klinikën e Gjinekologjisë, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, barnatores qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Komitetit Kyç për angazhimin profesional që këto produkte të futen në Listën e Produkteve Mjekësore” – ka shkruar ministri.

Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës, në mungesë të votave.

Institucionet private shëndetësore ofrojnë këtë shërbim për vite të tëra, të cilat janë licencuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 06/2013 për frytnimin e asistuar mjekësor.