Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia: Do t’i ndërtojmë 5 parqe të mëdha dhe 8 parqe të vogla në Prishtinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë se do të punojë për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Sipas tij, këtë do ta bëjë përmes reduktimit të lëvizjes së numrit të veturave, ndërtimin e parqeve të reja dhe shtrirjen e sistemit të ngrohjes nëpër lagjet më të denduara të Prishtinës.

“Do t’i ndërtojmë 5 parqe të mëdha e 8 parqe të vogla nëpër lagjet e Prishtinës me vlerë prej 2.4 milionë euro. Ulja e numrit të veturave deri në 30 për qind, shtrirja e koogjenerimit në pjesët më të denduara të Prishtinës, nga Tophanja e deri të Kodra e Trimave si dhe ndërtimi i brezit të gjelbër që ndan termoelektranat me kryeqytetin”, ka thënë Vitia.

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Kandidatët për të parin e Prishtinës do të përgjigjen përballë Jeta Xharrës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diana Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.