Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia: Do të lejojmë ndërtime në Butovc në koordinim me banorët

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka prezantuar programin e tij për një kryeqytet të gjelbër.

Vitia në debat ka thënë se do të punojë që të mos shkatërrohet natyra edhe pse nuk ka përjashtuar ndërtimet në zonat e gjelbra të Prishtinës.

“Pesë parqe të mëdha në Prishtinë, 8 më të vogla dhe në nënlagjet i kemi menduar verandat. Një prapa Pallatit i Rinisë, te kampusi universitar te Fakulteti Teknik, një te rruga C dhe një në ‘Prishtinën e Re’. Në Gërmi nuk do të lejojmë ndërtime, në Badovc nuk është e ligjshme, e në Butovc në koordinim me banorët për shtëpitë e tyre natyrisht aty ku nuk cenohet interesi i qytetarëve e duke mos e dëmtuar asnjëherë natyrë, nuk do të ketë shkatërrim të natyrës në asnjë pjesë”, ka thënë Vitia.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Prishtinës, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prishtinë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LVV-së, Arben Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Përparim Rama nga LDK ka siguruar 29.2%.