Vitia: Disa mostra nga Deçani do të dërgohen në njërin prej vendeve të rajonit për analiza të tjera

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se edhe mostrat e marra nga qytetarët e helmuar në Deçan kanë rezultuar negative, ndërsa ka bërë të ditur se gjatë javës disa mostra do të shkojnë në njërin nga shtetet e rajonit për analiza më specifike të cilat s’mund të kryhen në Kosovë.

Tutje Vitia ka bërë të ditur se janë marrë edhe disa mostra për t’u dërguar për analizim jashtë Kosovës, kurse institucionet kanë bërë furnizim të mjaftueshëm me barna dhe materiale të tjera shpenzuese.

“Ende po presim për rezultatet e analizave specifike normalisht duke hapur edhe pista të tjera të hulumtimit, gjithherë duke u bazuar edhe në mostrat të cilat kanë rezultuar negative në testimet e fundit. Bashkërisht me autoritetet lokale, Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK kanë siguruar barna dhe materiale shpenzuese për të ju dalë në ndihmë qytetarëve të Deçanit. Përveç analizave të tjera, janë marrë edhe disa mostra nga pacientët, të cilat kanë rezultuar negative. Janë marrë edhe disa mostra të cilat do të dërgohen jashtë shtetit për analizë gjatë javës, me gjasë do të dërgohen në Rajon”, tha Vitia në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ndanë 150 mijë euro për rregullimin e ujësjellësit në Deçan

www.kallxo.com