Foto: KALLXO.com

Vitia del nga karantina, numër i madh i qytetarëve në qytet (FOTO)

Qeveria në detyrë e Kosovës dje ka miratuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, për shfuqizimin e vendimit për ndalimin e hyrje-daljeve nga kjo komunë.

Kryetari Haliti e ka mirëpritur këtë vendim, pasi Vitia si vatër e parë e infektimit me coronavirus në Kosovë është goditur më së shumti.

Sipas Halitit, vendosja e gjithë territorit të komunës së Vitisë në karantinë, pa e mbështetur me masa përcjellëse, ka qenë e vështirë dhe barrë për institucionet komunale dhe mekanizmat e tjerë që janë marrë me menaxhimin e situatës.

“Ndihem i lehtësuar  që gjendja me gripin pandemik është në përmirësim e sipër dhe Vitia tashmë ka 20 të shëruar. Mirëpo kërkohet nga nga qytetarët që të vazhdojnë të shmangin daljet e panevojshme, pasi rrethanat e reja nuk duhet të shërbejnë për relaksim, por duhet akoma vëmendje, sepse rreziku nuk ka kaluar plotësisht”,  ka thënë kryetari Haliti sipas një njoftimi të Komunës.

Qeveria në detyrë ka marrë vendim për daljen nga karantina edhe për Klinën  dhe Malishevën. Këto masa lehtësuese vijnë pas uljes së numrit të të prekurve me COVID-19, derisa ka rritje të numrit të të shëruarve. Megjithatë, lirimi nga masat e plota do të jetë gradual dhe në disa faza.

Kujtojmë se Vitia ishte vatra e parë e shpërthimit të coronavirusit çka edhe kishte bërë që kjo komunë të futet në krantinë tash e afërsisht dy muaj.

Kurse pas daljes nga karantina në qytetin e Vitisë vërehet një dalje masive e qytetarëve në rrugë dhe në hapësirat e tjera publike. Gjithashtu vërehet numër i madh i veturave në qytet.

Lidhur me këtë situatë sot është mbledhur edhe Komiteti Komunal për Emergjenca dhe Shpëtim, ku u theksua se situata epidemiologjike është nën kontroll por se duhet të kihet akoma kujdes.

Gjithashtu edhe kryetari i Komunës, Sokol Haliti, ka kërkuar që të vazhdohet me dezinfektim të objekteve shkollore, institucioneve publike, si dhe klorifikimin e rrugëve, trotuareve dhe shesheve në bazë të nevojave të paraqitura.