Ilustrim

Viti, vdes një fëmijë që u godit nga traktori, arrestohet 24-vjeçari

Një i mitur ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra pas goditjes nga traktori në Viti.

Rasti tragjik ka ndodhur dje.

Dyshohet se i mituri është goditur nga një 24-vjeçar, i cili ishte duke manovruar me traktor në oborrin e tij.

24-vjeçari me iniciale Sh.B. më pas është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani.

“Njësitet Policore relevante i janë përgjigjur rastit ku nga hetimet e para kanë kuptuar se i dyshuari kosovar shqiptar Sh.B. (1998) në oborrin e shtëpisë së tij gjatë manovrimit me traktor dyshohet se ka goditur të viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore” – tha Hashani.

Hashani ka thënë se i mituri pas goditjes së marrë është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjilanit e pastaj në QKUK në Prishtinë por për shkak të lëndimeve trupore mjeku ka konfirmuar vdekjen e tij.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar si ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.Rrethanat se si ka ndodhur rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit janë duke u hetuar nga Njësisë i Hetimeve Rajonale Gjilan”- ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë.