Viti shkollor në pandemi, sa u zbatuan masat anti-COVID në shkollat e Kosovës?

Nxënësit e Kosovës filluan vitin e ri shkollor 2020/21 më 14 shtator, duke u kthyer në bankat  pas një periudhe disa mujore ku kishin zhvilluar vetëm mësim nga distanca.

Mësimi filloi sipas tre skenarëve të përgatitur nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Para se të fillonte mësimi, Ministria ishte konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët edhe kishin përpiluar një udhëzim se si duhet të mbahet mësimi në kohë pandemie si dhe rregullat se si shkollat duhet të funksionojnë.

Në këtë udhëzim thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë, shkolla duhet të dezinfektohet pas çdo ndërrimi dhe i gjithë personeli duhet të mbajë maskat gjatë gjithë kohës etj.

Por, hapja e shkollave, mirëmbajtja dhe furnizimi i tyre me mjete mbrojtëse gjatë pandemisë, u është lënë në dorën e komunave.

Komunat bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik vendosin nëse do të ndërpritet mësimi apo jo.

Në lidhje me zbatimin e këtyre rekomandimeve, Organizata “Edu Task” në bashkëpunim me  me BIRN Kosova gjatë muajit tetor kanë monitoruar 78 shkolla në nivel vendi, nga 400 sa synohet të monitorohen brenda 4 muajve.

Monitorimi ka pasur për qëllim të vërtetojë nëse masat e Qeverisë janë duke u zbatuar, përfshirë këtu nëse ka furnizime me materiale të mjaftueshme mbrojtëse për të gjithë nxënësit, sa po zbatohet distanca në shkolla, dezinfektimi i objekteve shkollor dhe të tjera.

Përmbushja e masave në nivel vendi

Ministria e Arsimit kishte rekomanduar komunat që të krijojnë një task-forcë komunale që do të mbajë takime së paku çdo javë dhe task-forcat shkollore në secilën shkollë.

Në taskë forcën shkollore bëjnë pjesë zakonisht: Drejtori i shkollës, koordinatori i cilësisë, një përfaqësues i mësimdhënësve, një përfaqësues i nxënësve, një i prindërve si dhe mësimdhënës të teknologjisë.

Detyrat e task-forcës shkollore janë që të bëjnë monitorimin e masave për COVID-19 në shkolla dhe menaxhimin e situatës.

Në bazë të raportit të monitorimit të muajit tetor, masa më e përmbushur në nivel vendi nga të gjitha shkollat është themelimi i task-forcës shkollore me 85%.

Pas kësaj, masa më e përmbushur është ‘raportimi i rasteve me COVID-10 dhe ndërprerja e mësimit’ me 82%, ‘masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’ me 80%, dhe ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASH’ e cila është përmbushur 70%.

Figura 1. Përmbushja e masave në nivel vendi

Sipas raportit të “Edu Task”, sa i përket detyrave të përmbushura nga ana e shkollave të Kosovës, ato që janë mbushur më shumë se 95% përfshijnë: DKA/Shkolla ka siguruar ujë të rrjedhshëm gjatë orarit të punës (96%), Është bërë dezinfektimi dhe pastrimi gjeneral i shkollës (96%), Mësimdhënësit janë plotësisht të informuar dhe pjesëmarrës aktivë (97%), Shkolla ka hartuar orarin e mësimit ne shkollë (98%) dhe shkolla ka siguruar paisjet për matjen e përditshme të temperaturës (96%).

Figura 2. Masat e përmbushura më shumë se 95%;

Ndërsa, detyrat që janë përmbushur më pak se 50% përfshijnë: DKA/Shkolla ka siguruar personel plotësues teknik për m² (49%), DKA dhe shkolla kanë siguruar transport të sigurtë për grupe të caktuara të nxënësve (27%), Është mbajtur trajnimi për nxënësit për përdorim të platformës (34%), janë siguruar pajisje teknologjike për mësimdhënës (46%), janë siguruar pajisje teknologjike për nxënës (30%).

Figura 3. Masat e përmbushura më pak se 50%

Zbatimi i masave sipas komunave

Të gjitha komunat ishin zotuar për zbatim të masave të Qeverisë së Kosovës për shkollat, por analiza e bërë nga “Edu Task” ka gjetur nuanca të ndryshme të zbatimit të këtyre masave nga ana e komunave.

“Sidoqoftë, ajo çfarë vërejmë tani është performanca e komunës së Gllogovcit (95%), Junikut (95%), Kaçanikut (93%), Hani i Elezit (92%) ku janë përmbushur masat më shumë se 90%. Ndërsa, vërehet se komuna e Shtërpcës (41%), Leposaviqit (51%), Mamushës (62%), Kamenicës (65%), Dragashit (68%), Kllokotit (69%), dhe Zveçanit (69%) kanë performuar më dobët”, thuhet në raport.

Figura 4. Përmbushja e përgjithshme e masave sipas komunave

Disa komuna, si Ferizaji, Gjilani, Gllogovci, Hani i Elezit, Lipjani, Podujeva, Shtërpca, Vitia më së shumti kanë përmbushur ‘Masat parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me Covid-19 dhe ndërperja e mësimit’, ndërsa komuna e Prishtinës, Klinës, Obiliqit, Prizrenit, dhe Vushtrrisë më së shumti kanë përmbushur masën ‘Taskforca në nivel institucioni parashkollor apo shkolle’.

Në anën tjetër komuna e Novobërdës, Shtimes, dhe Zubin Potokut nga 4 masat më së shumti kanë përmbushur masën ”Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse”. Përmbushja e kësaj mase është e kënaqshme edhe në komunat tjera.

Masa që më së paku është përmbushur sipas këtij raporti është ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASH’, ku pothuajse të gjitha komunat kanë përmbushur më së paku këtë masë nga 4 masat e analizuara.

Skenarët e përdorur nga komunat

Ministria e Arsimit kishte përgatitur tre skenarë për mësim, ku komunat pastaj kanë vendosur se në cilin skenar dëshirojnë të funksionojnë, në bazë të kapaciteteve të tyre.

Tre skenarët kanë qenë: Skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Në bazë të raportit të “Edu Task” në fazën e parë të projektit në muajin tetor, vetëm komuna e Vushtrrisë kishte shkollë që kishte kaluar në skenarin C për shkak të rritjes së rasteve pozitive me Covid-19 brenda shkollës.

Kurse, komunat që kanë përdorur skenarin B gjatë muajit tetor janë: Deçani, Fushë Kosova, Gllogovci, Hani i Elezit, Istogu, Kaçaniku, Kamenica, Klina, Kllokoti, Leposaviqi, Malisheva, Novobërda, Peja, Rahoveci, Shtimja, Skenderaj, Vitia dhe Zveçani.

Në anën tjetër komunat që kanë përdorur skenarin A apo prezencë fizike në shkollë janë: Mamusha, Mitrovica dhe Zubin Putoku.

Ka pasur raste kur komunat kanë përdorur edhe Skenarin A edhe Skenarin B e që janë: Dragashi, Ferizaj, Gjakova, Lipjani, Podujeva, Prishtina, Prizreni dhe Gjilani.

Figura 6. Skenaret e zgjedhura nga shkollat sipas komunave

Edhe në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, shkollat e Kosovës do të funksionojnë sipas skenarëve të planifikuara nga ana e Ministrisë.

Viti shkollor akademik 2019/20 kishte filluar me prezencë fizike, por institucionet shkollore ishin mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë.

Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor.