Viti, Policia e Dogana zbulojnë një punëtori për grirjen dhe paketimin e duhanit

Si rezultat i realizimit të hetimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës, konkretisht Sektorit për hetimin e krimit të organizuar, me Doganën e Kosovës dhe me autorizim të organeve të drejtësisë sot në Viti është kryer një operacion i bastisjes dhe kontrollit ndaj automjeteve dhe pronave të disa personave të dyshuar të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.

Gjatë kontrollit është hasur në sasi të konsiderueshme të duhanit të papërpunuar si dhe pajisje për grirje dhe paketim të duhanit.

Sipas njoftimit të Policisë, autoritetet kanë sekuestruar mallin dhe pajisjet, si dhe janë ndaluar disa persona të dyshuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale – kontrabandim me mallra; tregti e ndaluar, dhe shmangia e pagesave dhe tarifave të detyrueshme doganore.

Veprimet e mëtejme janë në proces dhe po kryhen në koordinim të plotë me Prokurorinë kompetente dhe Doganën e Kosovës.