Viti, një person i maskuar vodhi 140 euro në barnatore

Është arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti, i maskuar ka hyrë në një barnatore dhe ka grabitur 140 euro.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në Viti, të mërkurën rreth orës 19:30.

“Është arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti, i maskuar ka hyrë në një barnatore dhe duke e kanosur viktimën i ka grabitur 140 euro para të gatshme”, ka njoftuar Policia.

Sipas raportit të Policisë, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Vjedhja dënohet në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Neni 313 i këtij kodi thotë, se kushdo që personit tjetër ia merr pasurinë e cila vlerësohet në shumën prej 50 euro apo më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.

Ndërsa kanosja dënohet në bazë të Nenit 317, ku thuhet se kushdo që me përdorim të forcës apo kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, e përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë me qëllim që t’i sjellë vetes apo personit tjetër dobi pasurore të kundërligjshme, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.