Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti | Foto: Atdhe Mulla

Viti: Mbi 83 mijë euro për pakot ushqimore dhe higjienike për shkak pandemisë COVID-19

Komuna e Vitisë në prill të këtij viti kishte shpenzuar mbi 83 mijë euro për disa pako ushqimore dhe higjienike për disa familje në këtë komunë.

Kontrata për këtë shërbim është nënshkruar më 24 prill të këtij viti, dhe fitues është kompania ‘Brahim Zeqiri B.I’ me seli në Prishtinë.

Procedura për këtë tender ka qenë e negociuar që do të thotë nuk ka pasur nevojë për njoftim për kontratë.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik,  këto pako ushqimore janë konsideruar si të ‘domosdoshme për nevojat e familjeve në nevojë për shkak të kushteve emergjente të krijuar nga pandemia COVID-19.

Procedura e inicimit të kësaj blerje është bërë më 21 prill të këtij viti, ndërsa për si kriter ka qenë  çmimi më i ulët.

Komuna ka bërë të ditur se këtë kontratë do ta paguajë nga të hyrat e saj vetanake.

Komuna përveç pakove ushqimore që janë 1500 sosh, ka kërkuar edhe 35 pako të dorëzave higjienike dhe 3000 maska mbrojtëse, e në total vlera e këtyre është 83 mijë e 535 euro.

 

 

 

Një pako ushqimore sipas të dhënave të Komunë së Vitisë është paraparë të kushtoj 53 euro e 95 cent, duke përfshirë në brendi të saj produktet bazë ushqimore dhe higjienike.

Rasti i parë me COVID-19 në Kosovë është shfaqur me 13 mars në komunën e Vitisë, ndërsa aktualisht në këtë komunë janë 22 raste aktive ndërsa janë shëruar 119 persona.