Viti kur Kosova regjistroi temperaturat më të ulëta

Nga fillimi i kësaj jave Kosova dhe vendet e rajonit janë përfshirë prej temperaturave të ulëta.

Sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë ditës së djeshme temperatura më e ulët ishte  -9 gradë celsius, derisa sot temperatura më e ulët u regjistrua në Kamenicë deri në -16.7 gradë celsius, pasuar nga Ferizaj me -16 gradë.

Derisa, në Prishtinë temperatura për sot shkoi në -13 gradë celsius.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Aliu shtoi se, temperatura më e ulët në Kosovë u regjistrua në janar të vitit 2006.

“Nga të dhënat që kemi prej periudhës së pasluftës, temperatura më e ulët është regjistruar në janar të vitit 2006, ku  kishte shkuar në -25 gradë celsius, madje me kohëzgjatje për disa ditë.

Aliu shtoi se ka disa spekulime se në vitin 1986 në qytetin e Gjilanit është regjistruar temperatura -32 gradë celsius, por që nuk mund ta faktojnë.

“Ka pas edhe shumë spekulime se në Gjilan gjatë vitit 1986 është regjistruar temperatura -32 gradë celsius, por ne si institut nuk kemi të dhëna për ta faktuar”, shtoi tutje Aliu.