Armë të konfiskuara nga Policia në Viti - Foto: PK

Viti, konfiskohen armë dhe municione

Drejtoria Rajonale e Policisë ka konfiskuar armë pa leje dhe municion në dy lokacione në Viti.

Policia ka njoftuar se janë konfiskuar një pushkë gjysmë-automatike, një pushkë ajrore, një revole me gaz dhe municion.

Sipas njoftimit, derisa Policia ishte në pikë kontrolli në Viti ka ndaluar një automjet me targa vendore në të cilin pos vozitësit ishin edhe dy pasagjerë.

Njësiti policor ka pasur informata se këta persona posedojnë dhe mund të bartin armë pa leje. Dhe pas marrjes se këtyre informatave me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë kontrolli fillimisht në shtëpinë e vozitësit, i cili ka pranuar se posedon armë dhe ka dorëzuar një pushkë gjysmë-automatike (përsëritëse) cal. 7.62 milimetra.

Ndërsa është bërë kontroll edhe në shtëpinë e personit tjetër që ka qenë në veturë, i cili ka pranuar se posedon armë dhe ka dorëzuar një pushkë ajrore “browing” pa numër serik dhe një revole me gaz model “Ekol Jackal Dual Compakt”.

“Të dyshuarit janë sjellë në Stacionin policor në Viti ku janë intervistuar dhe me urdhër te Prokurorit te shtetit rastet veç e veç procedohet në procedurë të rregullte me kallxim penal “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftim.