Viti i ri shkollor fillon edhe për nxënësit në burgje

Në burgjet e Lipjanit dhe të Dubravës ka filluar viti i ri shkollor i cili funksionon në kuadër të  programeve edukuese për personat e dënuar.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë numri i nxënësve të cilët kanë shprehur interesim për tu regjistruar në vitin e ri shkollor 2020 /21 është 43 nxënës, prej tyre në tri drejtime të reja në klasë të 10–ta, interesimin për tu regjistruar kanë shprehur 20 nxënës.

Ndërsa, në Qendrën Korrektuese Lipjan numri i të miturve që vijojnë mësimet në fillim të vitit shkollor është 22, prej tyre 8 vijojnë mësimet në shkollën e mesme të ulët, klasat 6 deri 9, dhe 14  në shkollën e mesme të lartë klasat 10-12.

“Arsimimi i të burgosurve është ekuivalent me arsimimin e përgjithshëm në Republikën e Kosovës, gjithë të burgosurit, të cilët mbarojnë me sukses vitin shkollor, marrin dëftesat, certifikata dhe diplomat, të cilat nuk dallojnë nga ato që jepen për personat që vijojnë shkollimin në liri. Për të zhvilluar mësimin në institucionet korrektuese janë angazhuar mësimdhënës nga drejtoritë komunale të arsimit”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Në bazë të vendimit të MASH-së, sikur në të gjitha shkollat e Republikës  së Kosovës edhe  në institucionet korrektuese mësimi ka filluar më datë 14.09.2020.

Për fillimin e mësimit janë marrë të gjitha masat, udhëzimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së.