Viti i humbjeve të mëdha

Përveç dëmeve në shëndetin publik, situata me pandeminë COVID-19 ka goditur rëndë edhe shëndetin ekonomik të vendit, duke lënë mijëra të papunë si dhe pushuar shumë aktivitete biznesore.

Flurim Hysenaj kishte arritur t’i kursente 7 mijë euro duke punuar në sektorin e gastronomisë, para se në janar të këtij t’i investonte në një restaurant të vogël në periferi të qytetit të Fushë Kosovës.

Në dy muajt e parë të vitit 2020,  biznesi i tij i ri kishte filluar të i marrë këmbët mbarë dhe ai kishte arritur ta punësonte edhe një punëtore.

“Deri në fillim të marsit kam pasë punë mirë, se ushqeheshin edhe disa punëtorë të ndërtimtarisë të unë”, tregon 27 vjeçari.

Mirëpo, në mes të marsit të këtij viti, kur u shënuan rastet e para të të prekurve me COVID-19, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që ndër masat tjera, të mbyllen lokalet e gastronomisë në nivel vendi. 

Ky vendim, për biznesin e sapo nisur të Hysenajt kishte qenë një goditje e rëndë pasi që kjo mbyllja që pasoi tre muaj e ardhshëm e kishte rrënuar financiarisht.  “Kur u rihapëm, gjithçka ndryshoi pastaj, klientët që i kam pasë e reduktuan shumë ardhjen, ndërsa qiranë dhe punëtoren isha i obliguar t’i paguaj me çmimin e njejtë”, thotë ai.

Flurim Hysenaj.
FOTO- Halim Kafexholli


Mospërballimi i pagesës së qirasë prej 400 eurove në muaj e kishte detyruar që restaurantin për të cilin synonte ta zgjeronte në të ardhmen, ta mbyllte përfundimisht në muajin korrik. “U mundova me shty boll, por u shihke fundi duke ardhur, u zbraske arka edhe vendosa me mbyll se mezi pagën e punëtorës e siguroja, ndërsa për qira nuk mujta më me ia dal”, thotë Hysenaj.

‘‘Përveç që nuk kam operu me fitim gjatë kësaj kohe, unë i humba edhe 5 mijë euro të investimit. Nëse e rrumbullaksoj, unë i kam humb rreth tetë mijë euro në këtë tentativën time për biznes’’, thotë dëshpërimisht Hysenaj.

Kurse ndihmesa qeveritare dymujore prej 170 euro nga Qeveria, për Flurimin nuk kishte mjaftuar aspak që t’i ndihmoj për ekzistencën e biznesit modest të tij.  ‘‘Kisha qenë shumë i kënaqur me pasë intervenu shteti biles sa me pas mujtë me majtë gjallë biznesin’’, thotë ai.

Ndërkohë që Qeveria Hoti ende nuk e ka funksionalizuar Pakon e re të Rimëkëmbjes Ekonomike e cila ishte paraparë në kuadër të rishikimit të buxhetit, pako e cila prek shumën e 365 milion eurove.

Mirëpo, në programin e kësaj Qeverie, thuhet se në kuadër të ‘‘Programit për Rimëkëmbje Ekonomike’’, Qeveria do të mobilizojë mbi 1 miliard euro gjatë vitit 2020 dhe 2021, mjete të cilat do të futen në ekonomi. 

Sidoqoftë, derisa ende nuk ka një intervenim konkret institucional, numri i bizneseve që kanë dalur nga tregu po rritet dita ditës. Sipas të dhënave zyrtare që BIRN-i i siguroi nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) prej 1 marsit të këtij viti deri më tani janë shuar 507 biznese dhe shtatë aktualisht shtatë kërkesa janë në proces të ç’regjistrimit. 

Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare të komunës së Fushë Kosovës, deri tani në këtë komunë janë shuar shtatë biznese. Siç thotë zyra për informim, bizneset e shuara janë dy dyqane të pastrimit kimik të rrobave, tre autotaksi dhe sic thonë në komunë, dy shpk – biznese. 

Por, edhe pse Hysenaj e kishte ç’regjistruar në procedurë të rregullt biznesin e tij, referuar të dhënave të komunës restauranti i tij nuk figuron në statistikat e komunës si biznes i shuar.

Mirëpo, si as afërsisht të sakta i ka quajur Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini statistkat zyrtare. Sipas Shahinit, procedurat për shuarjen e një biznesi në Kosovë janë shumë të ndërlikuara dhe kjo dekurajon pronarët të ndjekin procedura.

‘‘Bizneset të cilat e kanë pushuar aktivitetin e tyre ekonomik nuk kanë pasur durim ose kohë që të ndjekin procedurat dhe e kanë pushu, pasivizu apo mbyll aktivitetin e vet biznesor’’, thotë Shahini. 

Sipas të dhënave që kryetari i ARBK-së thotë që i kanë mbledhur në teren nga muaji prill deri në korrik, gjithsej biznese të cilat e kanë pushuar aktivitetin e tyre ekonomik janë rreth mijë biznese. 

Ndërsa ndryshe nga ARBK-ja, kjo agjensi thotë që sektorët të cilat prijnë sa i përket dëmtimeve janë ato të gastronomisë, pishinat etj.

Sipas Shahinit, një ndër shkaqet pse numëri zyrtar i mbylljes është më i vogël, është sepse institucionet iu referohen vetëm aspektit ligjor. 

‘‘Ne nuk e marrim vetëm teorinë ligjore procedurale, mirëpo ne bëjmë matje në teren dhe e marrim për bazë anën praktike dhe mund të themi lirisht se numëri i të dhënave tona është dhjetëfish më i madh se si i institucioneve, sepse shumë biznese në Kosovë nuk regjistrohen. 

Të pa regjistruar, sallonin e saj të ondulimit në qytetin e Malishevës e kishte Afërdita Hoti, e cila në fillim të këtij muaji kishte vendosur ta mbyllte përfundimisht sallonin e saj ku ishte e angazhuar së bashku me tre punetore.

Mirëpo, përvec gastronomisë dhe shumë sektorve tjerë, në muajin mars Qeveria e kaluar kishte vendosur që t’i mbyll edhe sallonet e bukurisë si dhe t’i anuloj të gjitha ahengjet dhe dasmat. 

Profesionin të cilin ka gjashtë vite që e punon, Hoti vendosi t’i jap fund pa e kaluar sezonin veror, stinë kjo shumë e frytshme për këtë sektor biznesi meqenëse kjo sezon njihet edhe si sezoni i dasmave të cilat i sigurojnë punë bizneset e tilla.

‘‘Si i nalën dasmat, u anulun krejt terminet çka i pata. E na varemi totalisht prej tyne’’, thotë Hoti.

Kostoja për të hapur dhe mobiluar sallonin e saj, ajo thotë se e ka prekur vlerën rreth 5 mijë euro. Por duke qenë se pandemia ia kishte ndaluar të gjitha të ardhurat familjes të saj tetë anëtarëshe, ajo ishte detyruar që t’ia vë drynin lokalit të saj, për të cilin edhe gjatë kohes së mbylljes ishte e obliguar ta paguante qiranë, të cilën edhe pse me çmim të përgjysëmuar, për Afërditën ishte e pamundur ta mbante aktiv më gjatë, dhe duke qenë se biznesi i saj nuk ishte i regjistruar në ARBK ajo nuk përfitonte asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore. 

“S’pata qare pa e mshel se u dashke me funksionu me minus, plus lokali ka shpenzime materiale, e me minus nuk mujsha me funksionu gjatë”, thotë Afërdita. 

BIRN-i ka pyetur në Komunën e Malishevës rreth numrit të bizneseve të shuara si dhe planin që kjo komunë ka për intervenime ekonomike, por përkundër insistimit Zyra për Informim nuk ka kthyer përgjigje. Ndërsa në të dhëna jo zyrtare, vetëm sallone të bukurisë në qytetin e Malishevës janë mbyllur gjashtë sosh. 

Mbyllja e bizneseve rrit numrin e papunësisë

Që nga mbyllja e lokalit të saj, Hoti gati në baza të përditshme vazhdon të kërkoj punë në profesionin e saj, mirëpo kjo përpjekje poo vazhdon pa sukses.

“Kam kërku e po kërkoj punë shumë në Prishtinë, po kërkush nuk po më merr se nuk po kanë nevojë”, thotë zhgënjyer ajo. “Jo veç unë, po katër çikat që kemi punu aty, tash jemi të papunë.

FOTO-Urim Krasniqi

Ndërsa në përmbledhjen e studimit të Institutit GAP që i referohet Agjenësisë së Punësimit, numëri i punëkërkuesve gra që kanë kërkuar punë gjatë periudhës janar – prill ka arritur shifrën 16 mijë e 820, nga 37 mijë e 392 punëkërkuesve në total. 

Në një hulumtim të Shoqatave Ekonomike në Kosovë, vë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara në Kosovë kanë deklaruar se e kanë ulur numrin e të punësuarve, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ndërsa referuar anketimit të këtij hulumtimi, rezulton se 39 për qind e ndërmarrjeve të intervistuara për këtë studim janë mbyllur tërësisht, 54.4 për qind ndërmarrje të vogla sikurse e Hotit e Hysenajt.

Kurse sipas Kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë Jusuf Azemi, nga fillim viti deri në qershor 40 mijë persona në Kosovë kanë humbur vendin e tyre të punës dhe sipas tij kjo është gjendja më e rëndë ndonjëherë për punëtorët e sektorit privat në Kosovë.

‘‘Unë kam paralajmruar edhe më herët, se deri në fund të këtij muaji rrezikojnë që vendin e tyre të punës ta humbin rreth 60 mijë punëtorë’’, thotë Azemi, i cili shton se përveç humbjes së vendeve të punës në këtë periudhë po ndodh edhe shkelja më e madhe e të drejtave të punëtorve. 

Ndërkaq, për dallim nga Afërdita Hoti e cila shpreson që pas pandemisë të rifilloj me punën e saj, i pashpresë për një gjë të tillë mbetet Flurim Hysenaj. 

‘‘Përveç që më ka dëmtu pandemia në atë biznes, mua ma ka dëmtu edhe të ardhëm time, se kursimet e mia prej 7 mijë eurosh i humba krejt, tash s’kam asgjë’’, përfundon Flurimi.