Viti, dënohen me 11 vjet burgim dy të akuzuarit për vjedhje dhe kanosje ndaj policisë

Gjykata e Gjilanit i ka dënuar me 11 vjet burgim dhe me nga 1 mijë euro secilin, dy të akuzuarit për vjedhje dhe kanosje ndaj policisë në Viti.

Vjedhja për të cilën janë dënuar të akuzuarit, Rr.A dhe A.Sh, është kryer më 30 maj 2020 në Viti.

Sipas njoftimit të gjykatës, dy të akuzuarit, në bashkëveprim kanë kryer vjedhje grabitqare në SHPT “Dunhill”, ku fillimisht kishin thyer drynin e derës së kioskës, e pasi kanë hyrë në kioskë nga aty i kanë marrë të gjitha llojet e cigareve të ndryshme, e pastaj i kanë vendosur në veturën e markës “Volvo”.

Po ashtu, sipas këtij njoftimi, teska dy të dyshuarit kanë qenë duke hyrë në veturë, ka ardhur patrulla e policisë ku tutje dy të akuzuarit kanë ushtruar kanosje ndaj policisë duke shtënë me armë dhe në këtë mënyrë kanë arritur t’iu shmangen policisë.

Por për shkak të një defekti të automjetit, të njëjtit e kanë lënë e lënë veturën me cigare në hyrje të fshatit Drobesh dhe i janë shmangur policisë, duke u larguar nga aty dhe duke marrë-vjedhur pastaj një veturë tjetër të markës “Golf V” në një shtëpi tjetër. Në këtë mënyrë ata kanë ikur dhe përfundimisht i janë shmangur kapjes nga policia.

“Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarve u ka shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjet e gjashtë (gjashtë) muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 1000 (njëmijë) euro, për secilin të akuzuar”, është bërë e ditur në vendim.

Sipas këtij njoftimi, gjykata ka nxjerrë vendim duke i vazhduar masën e paraburgimit të akuzuarve deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.