Viti - 21 raste aktive me COVID-19, shtatë prej tyre të hospitalizuar

Komuna e Vitisë e udhëhequr nga Sokol Haliti, është komuna e parë e prekur me coronavirus.

Rasti i parë ka qenë më 13 mars në fshatin Stubëll.

Tash e tre muaj COVID-19 ka zgjeruar hapësirat edhe në fshatra e në qytetin e Vitisë.

Mbrëmë në nivel vendi dolën 129 raste pozitive, ku gjashtë prej personave të prekur nga kjo pandemi dolën në këtë komunë.

Një ditë pas filluan të gjurmohen e testohen rastet e kontaktit të gjithë familjarëve.

Si rezultat i gjurmimeve, 17 familjarëve të personave të infektuar i është bërë testi.

Testimin e këtyre 17 personave e konfirmoi drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli – Halili.

Por, historiku se nga ka ardhë virusi, drejtoresha thotë se ende nuk e dinë, por ajo thotë se kur të dalin rezultatet e testimeve të bëra sot do të shkojnë kontak pas kontakti.

“Sot janë marre 17 raste kontakti nga familjarët, do të thotë të rasteve dje që kanë dal edhe shumica e rasteve që kanë dalë dje. Nuk e dim nga e kanë marrë virusin. Kur të dalin rezultatet e tyre (familjarëve) duhet të shkojmë kontakt pas kontakti”, tregoi ajo.

Rezultatet e testimeve nuk dihet se kur do të dalin, shtoi Kadolli – Halili.

“Rezultatet a dalin sot apo nesër nuk e di, se zakonisht të sotit po i publikojnë nesër apo masnesër”, tha drejtoresha.

Në mesin e të infektuarve, vetëm një pacientë ka gjendjen më të rëndë, ndërsa të tjerët janë stabil, konfirmon ajo.

“Një pacientë e ka gjendjen më të rënduar, ndërsa të tjerët që janë në shtëpi e kanë gjendjen e qëndrueshem sepse jamë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë”, shtoi Kadolli – Halili.

Ndërsa, të gjithë rastet që kanë qenë më herët pozitiv me coronavirus në këtë komunë, drejtoresha thotë se janë shëruar.

“Rastet që kanë qenë para këtyre të fundit janë shëruar të gjithë”, potencoi ajo.

Tani në këtë komunë janë 21 raste aktive me COVID-19.

Kujtojmë se në këtë komunë deri më tani kanë qenë të infektuar 74 persona, 53 prej tyre janë shëruar, ndërsa nuk ka asnjë të vdekur.

Në nivel vendi janë 1615 persona të infektuar nga kjo pandemi, 963 janë shëruar dhe 34 të tjerë kanë vdekur.

Sipas IKShPK, të gjithë personat e vdekur kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.