Foto: REL

Viti 2024 u përmbyll me rënie të numrit të përfituesve të ndihmave sociale, rritje evidentohet në kategori të tjera

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK], në muajin e fundit të vitit 2024, tregojnë për një ndryshim në numrin e përfituesve të skemave sociale e të pensioneve. Në disa kategori, numri i tyre pësoi rënie e në disa të tjera pati rritje.

Rënie të numrit të përfituesve pati te pensionet e Trepçës, pensionet invalidore, të ndihmave sociale, te skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, si dhe pensionet kontributpaguese të moshës.

“Në muajin dhjetor 2024 – krahasuar me muajin dhjetor 2023 – kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet e Trepçës (-20,8%); skema për pensionet invalidore (-14,9%); skema e ndihmës sociale (-11,1%); skema për pensionet familjare (-3,9%); skema e kompensimeve për personat e verbër (-2,1%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,7%); skema e pensioneve kontributpaguese të moshës (-1,3%).” – njofton ASK.

Në anën tjetër, ASK rendit skemat e pensioneve, ku pati rritje të numrit të përfituesve.

“Në muajin dhjetor 2024 – krahasuar me muajin dhjetor 2023 – kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për përkrahje financiare familjeve, që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (14,5); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë (11,9%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit, që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,9%); skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (2,9%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (2,9%); skema e pensioneve bazike të moshës (2,9%); skema për veteranët e luftës (0,3%).” – tregon ASK.

Lidhur me pensionet, në Konferencën e datës 10.01.2025, u bë e ditur se Qeveria e Kosovës miratoi Vendimin për rritjen për 20% të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta e fundit, derisa ministri i Financave, Hekuran Murati para mediave u shpreh se kjo bëhet për shkak të rritjes ekonomike.

Po ashtu, më 07.10.2024, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte njoftuar se janë rritur pensionet për disa skema pensionale.

Kurti kishte rritur pensionet 20% për pensionin bazik, kontributdhënësit, personat me aftësi të kufizuara, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë e personat e verbër, invalid i punës dhe për ish-punëtorët e Trepçës.

Me këtë rritje, pensioni bazik u bë nga 100 euro në 120 euro.