Mungesa e ujit Ilustrimi: Pixabay

"Viti 2024 mos me pasë ujë të pijshëm është marre", banorët e Korroticës së Epërme të Drenasit pa ujë të pijshëm që nga paslufta

Banorët e fshatit Korroticë e Epërme në Drenas janë ankuar se në fshatin që nga paslufta nuk ka ujë të pijshëm.

Përfaqësuesi i fshatit, Xhafer Doberdolani ka kërkuar që të bëhet shpejtë zgjidhje për këtë çështje.

“Problemi me ujë të na është qysh moti, të na nuk ka pas ujësjellës kurrë, gjith na kena ba ankesa për ujësjellës kush parasysh nuk na ka marrë po qitash i ka ardhë fundi. Viti 2024 mos me pas ujë të pijshëm është marre po sipas meje dhe komunës fundi i ka ardhë kësaj pune”- tha Doberdolani.

Banori tjetër i këtij fshati, Milaim Hoxha, tha se ujë nuk ka që nga koha e pasluftës dhe se kjo gjendje është e vështirë.

“Për ujë janë t’u hjekë krejt se jo veç na po krejt veç ai që nuk do me folë. Nuk ki çare pa e pi kur të kap etja. Na kemi bo ankesë, po po thojshin ua sjellim, po prej pasluftës nuk ka ujë”- tha Hoxha.

Veli Hoxha, një banor tjetër i fshatit tha se duhet me ble ujë çdo ditë sepse nuk kanë ku të furnizohen.

“Ankesa jonë është që nuk ka ujë të pijes duhet me shku me ble ujë çdo ditë. Këtu kurrkush hiq nuk ka ujë, veç kush i ka ngjit filtrat ka 1200 ose 1500 euro, ata po se përndryshe nuk pihet uji këtu në katun” – tha ai.

Për mungesën e ujësjellësit në fshatin Korroticë e Epërme në Komunën e Drenasit, KALLXO.com ka kontaktuar me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, tha se ky fshat nuk është furnizuar dhe nuk ka qenë i kyçur asnjëherë nga ujësjellësi.

“Fshati ka një rrjet shpërndarës të ujësjellësit nga viti 2001 por jo funksional. Një kohë të shkurtër furnizimin me ujë e ka pas nga Kroni i Mbretit, derisa më ujësjellës të KRU Prishtina nuk ka pasur furnizim dhe asnjëherë nuk ka qenë i kyçur”- thotë Mjeku.

Tutje, e njëjta tha se mosfunksionimi i sistemit të pompave në këtë fshat pengon edhe depërtimin e ujit.

“Ne e kemi instaluar një gyp nga Pokleku deri në Korroticë. Pa pasë një sistem të pompave nuk shkon uji. Sistemi i pompave është ndërruar dhe ende nuk është komplet funksional”- u shprehen nga KRU “Prishtina”.

Lidhur me këtë problem, zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra, për KALLXO.com tha se më parë kanë qenë të furnizuar me ujë mirëpo për shkak të dëmtimit të gypa nga punimet është përkeqësuar furnizimi

“Pas luftës ky fshat e ka pasur rrjetin e ujësjellësit me furnizim nga Kroni i Mbretit. Prej aty është pompuar uji për në rezervuar. Përkeqësimit të furnizimit me ujë i ka kontribuar dëmtimi i gypit gjatë punimeve në magjistralen M9 dhe dëmtuesit ende nuk e kanë riparuar”- tha Dobra.

Ndër të tjerash, ai shtoi se vlera e madhe e investimeve që po bëhet edhe në fshatra të tjerë po ndikon në mosfinalizimin e këtij projekti

“Jemi në përfundim të projektit të ndërtimit të kapacitetit të ujësjellësit në disa fshatra, siç e kemi përfunduar në Zabelin e Ulët dhe në Korroticën e Ulët, aktualisht jemi duke bërë vendosjen e orëve në Shtuticë dhe po punojmë në Polluzhë dhe do të vazhdojmë pastaj në Korroticë të Epërme.

Mirëpo, për shkak të vlerës së madhe të investimeve, pa përkrahjen e nivelit qendror, nuk po mundemi menjëherë t’i finalizojmë të gjitha”- potencoi zëdhënësi.

Dobra tha se “do të arrijmë ta furnizojmë jo vetëm Korroticën, por edhe fshatrat tjera, me gypat ekzistues, gypat e rinj ku duhet, madje edhe me burimet alternative”.