Viti 2020, shënon rritje të çmimeve në konsum për 0.2%

Në vitin e kaluar, vitin 2020, qytetarët e Kosovës u përballën me çmime për 0.2 për qind më të larta në raport me një vit më parë. Sipas ASK-së, çmime më të larta pati pothuajse në të gjitha nëngrupet e konsumit ndërsa për të neutralizuar ngritjen e çmimeve, kontribuoi rënia e çmimeve të përdorimi i transportit, në perime dhe disa nëngrupe tjera.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e saj tregon se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2020 ishte më i lartë në një mesatare prej 0.2 për qind, krahasuar me vitin 2019.

Norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2020 ishte 0.2 për qind.

ASK tregon se ku pati ngritje të çmimeve të konsumit në vitin e kaluar

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.3%); mish (1.8%), ku secili nga këto nëngrupe ndikoi me 0.2 për qind në IHÇK); qumësht, djathë dhe vezë (1.8%); pemë (5.0%); kafe, çaj dhe kakao (5.4%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.7%); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (4.4%); shërbime telefonike dhe të telefaksit (2.2%); shërbime hoteliere (2.3%); sigurime (15.7%), që secili nëngrup ndikoi me 0.1 për qind në IHÇK; sheqer dhe ëmbëlsira (3.4%); duhan (1.3%); pajisje shtëpiake (1.0%); shërbimet ambulatore (5.8%); kujdes personal (1.3%); gjërat personale (3.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK”, thuhet në komunikatë

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: përdorim i pajisjeve për transportin personal -12.0 për qind – rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës, me një ndikim prej -0.9 për qind në IHÇK; perime -5.6 për qind, me një ndikim prej -0.2 për qind në IHÇK; veshje -1.2 për qind; pajisje audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informatave -1.8 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.1 për qind në IHÇK.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e të dhënave vjetore të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për vitin 2020.