Viti 2019 përmes fotografive

Viti 2019 në Kosovë nisi me greva në arsim, vazhdoi me përvjetore, u përball me kontrabandën në veri, tregoi pasurinë enorme të politikanëve, shpërfaqi sërish nepotizmin, pati dorëheqje të kryeministrit, shkoi në zgjedhje, e mes tjerash, u mbyll pa qeveri të re.

KALLXO.com gjatë vitit që po lëmë pas, ilustroi raportimet me fotografi nga vendi i ngjarjes, në Kosovë e më gjerë.

Më poshtë ju sjellim përmbledhjen e ngjarjeve të shënuara të vitit, përmes fotografive.

Janari i grevës

Greva në shkolla, FOTO: Atdhe Mulla

Në janar mësimdhënësit e Kosovës hynë në greva, duke kërkuar rritje të pagave. Greva zgjati 3 javë rresht, prej 14 janar deri më 1 shkurt të këtij viti, ndërsa ende nuk është kompensuar asnjë orë e humbur gjatë asaj kohe për nxënësit. Qeveria i kishte marr parasysh ankesat e sindikalistëve duke e hartuar Ligjin e Pagave, i cili shkaktoi pakënaqësi, duke përfunduar kështu në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit ligjin e ka pezulluar deri në mars të 2020, e në anën tjetër, po paralajmërohen sërish greva.

11 vjet pavarësi e sfida 

Parakalimi i FSK-së në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, FOTO: Atdhe Mulla
11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, FOTO: Atdhe Mulla

11 vjetori i pavarësisë e gjeti Kosovën me problemet e vjetra brenda shtetit dhe me raportimet për tërheqje të njohjeve, të cilat u mohuan nga diplomacia kosovare në krye me Behgjet Pacollin, qeverisja e të cilit në dy vite punë i solli vendit vetëm 2 njohje ndërkombëtare.

Me 17 shkurt 2019, historik ishte parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në sheshet kryesore të Prishtinës, për herë të parë me mandat ushtarak.

Marsi historik 

“Vrragët e fushatës së bombardimeve të NATO-s”, FOTO: Valerie Plesch

Sërish erdh marsi. Këtë vit, ky muaj shënoi 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, që i hapën rrugë çlirimit të Kosovës nga forcat paramilitare serbe.

Prilli mes së kaluarës nga lufta dhe së ardhmes për ‘kufij’

Vasfije Krasniqi-Goodman në Kongresin Amerikan, Prill 2019

Në prill të këtij viti, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, dëshmoi Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dhunimet e kryera nga forcat serbe. Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan e zhvilloi një seancë dëgjimore me temën “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”, që u mbajt në Washington.

Gjithashtu në prill, shtetësia, integriteti territorial i Republikës së Kosovës dhe dialogu me Serbinë, ishin kryetema të samitit njëditor të Berlinit, nën organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Në këtë samit, u raportua se “u fundos” ideja për “korrigjim të kufijve”.

Maji i aksionit 

Aksioni në veri – 28.05.2019, FOTO: KALLXO.com
Aksioni në veri – 28.05.2019, FOTO: KALLXO.com

Policia e Kosovës me 28 maj të këtij viti, në orët e para të mëngjesit kishte zhvilluar një operacion në komunat veriore të vendit, ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” pati sjell pamjet ekskluzive të këtij aksioni.

Qershori i miqve dhe i shkëlqimit të Kombëtares së Kosovës

Bill Clinton dhe Madeleine Albright në Prishtinë, 12.06.2019 – FOTO: Atdhe Mulla
Bill Clinton dhe Madeleine Albright në Prishtinë, 12.06.2019 – FOTO: Atdhe Mulla

Në 20 vjetorin e çlirimit, Kosova priti në një vizitë historike ish-presidentin e ShBA-së, Bill Clinton dhe ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

Qershori ishte edhe muaji në të cilin nisën sukseset e jashtëzakonshme të Kombëtares së Kosovës në futboll.

Për dy vjet radhazi Kosova nuk kishte pësuar humbje në 15 ndeshje futbollistike.

Kombëtarja e Kosovës, FOTO: KALLXO.com
Tifozët e Kombëtares së Kosovës në Stadiumin “Fadil Vokrri” – FOTO: KALLXO.com

Dorëheqja e bujshme e kryeministrit 

Ramush Haradinaj pas dorëheqjes, FOTO: KALLXO.com

Me 19 korrik të vitit 2019, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, me arsyen ftesën që kishte marr për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, nga ana e Gjykatës Speciale. Gjatë paraqitjes së tij në Hagë, Haradinaj ishte mbrojtur në heshtje.

Haradinaj i cili me vendimin e tij  e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, partia tij në zgjedhjet e 6 tetorit mori vetëm 11.5 për qind të votave.

Kryeministri në dorëheqje është kritikuar për qeverisjen e tij, gjatë së cilës kryefjalë ishin, rritja e pagave për kabinetin qeveritar, punësimet politike, shpenzimet e rezervave të shtetit dhe jo vetëm.

Gusht – Shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve 

Deputetët në seancën për shpërndarjen e Kuvendit, FOTO: KALLXO.com

Dorëheqja e Haradinajt nga pozita e kryeministrit, i parapriu shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, me 22 gusht 2019.

Pas kësaj, me 26 gusht, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e shpalli 6 tetorin ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Shtator –  #DebatPernime për zgjedhjet

Autorja e Emisionit Jeta në Kosovë, Jeta Xharra gjatë #DebatPernime 2019 – FOTO: KALLXO.com

10 ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në fund të shtatorit “Jeta në Kosovë” dhe KALLXO.com ka mbajtur serinë e #DebatPernime, në të cilat partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore kanë shpalosur programet e tyre qeverisëse dhe janë sfiduar përballë Jeta Xharrës.

Tetori i zgjedhjeve nacionale 

Zgjedhjet 2019, FOTO: KALLXO.com

Me 6 tetor, qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe kryeministrin e ardhshëm.

Rezultatet preliminare u publikuan qysh para mesnatës së 6 tetorit, por certifikimi i tyre zgjati gati 2 muaj. Në këto zgjedhje, e para doli Lëvizja Vetëvendosje, e dyta Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe e treta, për herë të parë në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës.

Nëntor – Sërish rinumërime

QNR, FOTO: KALLXO.com
Jeta në Kosovë në QNR. FOTO: KALLXO.com

Edhe gjatë muajit nëntor, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ishte kryefjalë e raportimeve për shkak të procesit maratonik të numërimit dhe rinumërimit të votave.

Me gjithë stërzgjatjen e gjithë këtij procesi, KQZ-ja i certifikoi zgjedhjet me 27 nëntor 2019.

Me 26 nëntor, Shqipëria u trondit nga tërmeti i cili la të vdekur mbi 50 persona dhe shumë dëme materiale në Thumanë dhe në Durrës.

Tërmeti në Shqipëri, FOTO: Atdhe Mulla
Tërmeti në Shqipëri, FOTO: Atdhe Mulla

Dhjetori që e konstituoi Kuvendin, por s’e solli Qeverinë 

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca – FOTO: Atdhe Mulla
Grafikë: ‘Koalicioni i shpresës’ komunikon nga distanca

Me 26 dhjetor 2019 u konstituua legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës si dhe Glauk Konjufca nga VV-ja u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Ndërkaq, ky vit po përfundon pa një marrëveshje për koalicion qeverisës ndërmjet VV-së dhe LDK-së për shkak të mospajtimeve për ndarjen e pozitave udhëheqëse të shtetit.