Vitia I FOTO: Kallxo.com

Viti: 19 persona me COVID-19 janë ritestuar sot, rezultati pritet në mbrëmje

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se sot në këtë komunë janë ritestuar 19 persona, të cilët javë më parë rezultuan pozitivë me coronavirus.

Haliti bëri të ditur që sot është testuar edhe një person i ri, i cili ka qenë në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“20 të tjerë sot ritestohen, 19 janë të ritestuar dhe një është i ri, i ardhur nga jashtë ka qenë në karantinë te konviktet”, konfirmoi Haliti.

Tutje, ai theksoi se edhe ditë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë ritestime të qytetarëve të Vitisë, dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

“Në Viti janë bërë ritestime edhe ditëve të kaluar ku 20 kanë rezultuar të shëruar deri tash. Ritestimet e bëra pardje kanë dalë negative”, tregoi ai.

Haliti tha se gjendje e të infektuarve është e mirë, prandaj ka kërkuar që të bëhet ritestimi i tyre, nëse edhe sonte dalin këto rezultate negative atëherë rritet dukshëm numri i të shëruarve në këtë komunë.

“Ne kemi kërku me i ritestu të gjithë, sepse e kanë gjendjen e mirë. Nëse dalin edhe sonte negativë, numri i të shëruarve rritet mirë, kemi ende në spital por kam kontaktuar me infektologun (Valbon) Krasniqi, gjendja e tyre është e mirë”, u shpreh kryetari Haliti.

Deri më tani në këtë komunë janë 20 të shëruar, ndërsa në nivel vendi nga 851 të infektuar janë të shëruar 381 persona, ndërsa 25 kanë vdekur.