Seanca ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytjen e vrasjes së Triumf Rizës. FOTO-Era Hasani/KALLXO.com

Visar Riza: Enver Sekiraqa ma ka vra vëllanë

Në gjykimin ku Enver Sekiraqa akuzohet për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, sot dëshmoi Visar Riza, vëllai i të ndjerit.

Visar Riza dhënien e dëshmisë e kishte filluar seancën e kaluar, për sot kishte mbetur t’i parashtrojë pyetje  Kosovare Kelmendi, avokatja e të akuzuarit Enver Sekiraqa.

Avokatja Kelmendi gjatë kohës sa po e pyeste Visar Rizën se a ishte në dijeni për problemet e të ndjerit, ai deklaroi me të madhe se Enver Sekiraqa ia ka vrarë vëllanë.

“ Enver Sekiraqa ma ka vra vëllanë”, tha shkurt dëshmitari.

Pas këtyre deklaratave avokatja Kelmendi tha se përmes këtyre pyetjeve mbrojtja dëshiron të tregojë se viktima ka pasur probleme edhe me të tjerët.

“Mbrojtja dëshiron të tregojë se i ndjeri nuk ka pasur probleme vetëm me të akuzuarin pasi që nga rastet në polici tregohet se i ndjeri ka pasur disa raste me qytetarë me të cilët ka pasur probleme jo të vogla”, tha Kelmendi.

Tutje, avokatja vazhdoi të pyes dëshmitarin për problemet e tjera të Triumf Rizës, ndërsa dëshmitari tha haptazi se ata nuk kishin pasur probleme të tjera.

“Unë faktikisht këto nuk i di mirëpo asnjë problem me dikond tjetër nuk e kena pas”,tha dëshmitari.

Kujtojmë se, Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekë edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje – 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Shtyhet seanca në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës