Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Visar Prebreza: Tërheqja e parave nga Trusti është shitur si politikë populliste

Visar Prebreza, gazetar i ekonomisë dhe redaktor në KALLXO.com, ka thënë se tërheqja e parave nga Trusti është shitur si politikë populliste.

Ai në debatin e KALLXO.com për 10-përqindëshin e kursimeve tha se kjo politikë është bërë për qëllime të tjera e jo për të ndihmuar qytetarët.

“Nuk kam parë që diku është përdorur Fondi i pensioneve në pandemi por ka raste kur vende si Polonia dhe Hungaria i kanë shfrytëzuar për diçka tjetër. Kjo është shitur si një politikë populliste dhe që po bëhet në emër të qytetarëve, por, në fakt është bërë për ta rritur kërkesën agregate, paranë që është në qarkullim në Kosovë dhe rrjedhimisht kjo ndikon në import dhe në ekonomi,” ka thënë Prebreza.

Prebreza tutje shtoi se duke marrë parasysh që një pjesë e madhe do fitojnë shumë pak, nuk do i tërheqin këto para sepse për ta bërë këtë nevojitet llogari bankare, mirëmbajtja e të cilës shkon deri në 20 euro.

“Këto para kanë shumë pak ndikim tek qytetari, një pjesë e tyre besojë nuk do i tërheqin sepse procedrua është e komplikuar. Një pjesë prej atyre që kanë pak para nuk kanë as llogari në banka, dhe 20 euro kushton vetëm mirëmbajtja e xhirollogarisë vjetore. Llogaritet që personat që marrin nga 50 ose 100 euro janë të papunë dhe nuk janë llogari aktive në Trust ose nuk kanë kontratë pune,” ka shtuar tutje Prebreza.