COVID-19

Virusi rrezikon personelin, 450 raste aktive brenda stafit shëndetësor

Që nga marsi e deri më sot në Kosovë janë infektuar 757 persona nga stafi shëndetësor, ndërsa aktualisht janë 450 raste aktive, ka bërë të ditur kreu i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

Në këtë numër nuk janë përfshirë edhe pjesa tjetër e mantelbardhëve të cilët janë në vetizolim.

Vija e parë e frontit ndaj coronavirusit është në rrezik si pasojë e infeksionit me COVID-19 i cili ka prekur një pjesë të madhe të mantelbardhëve.

Rrezikun se mund të boshatisen institucionet shëndetësorë nga mjekët po e sheh edhe Blerim Syla nga Sindikata e Shëndetësisë në Kosovë.

“Nëse brenda një dite nga 168 të infektuarve 64 kanë dalë personel shëndetësor, mundeni me arrit me një konkluzion se ku jemi kah shkojmë”, tha Syla për KALLXO.com.

Ai tutje theksoi se nuk mund të formojnë staf shëndetësor brenda ditës edhe nëse punësojnë personel të rij, për shkak se atyre u duhet të trajnohen për punë në mënyrë që dhënë shërbim adekuat.

Në Kosovë brenda kësaj javë kanë vdekur tre mjekë si pasojë e COVID-19.

Vetëm dje në nivel vendi kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 237 persona.

Ndërsa në total janë 6917 persona të infektuar nga COVID-19, prej tyre janë shëruar 3753 persona dhe 169 të tjerë kanë vdekur.

Falja e Bajramit në xhami, Sindikata e Shëndetësisë paralajmëron për rritje të numrit të rasteve me COVID-19