Ilustrim

Virusi lë në hije Vitin e Ri Hënor në Kinë

Kina po shënon Vitin e Ri Hënor – një nga datat më të rëndësishme në kalendarin e saj – derisa po përballet me shpërthim të madh të një koronavirusi.

Autoritetet kanë ndaluar udhëtimet në 13 qytete në provincën Hubei, që është qendra e shpërthimit.

Tash për tash, 830 njerëz janë infektuar me koronavirus në Kinë, 26 prej të cilëve kanë vdekur.

Vuhan, qyteti ku ka nisur shpërthimi, është duke ndërtuar spital të ri.

Qyteti, me rreth 11 milionë banorë, po lufton me numrin në rritje të pacientëve.

Gazeta shtetërore Changjiang Daily tha se spitali me 1,000 shtretër mund të jetë gati deri më 3 shkurt.

Qyteti Vuhan është bllokuar tërësisht: të gjithë autobusët dhe shërbimet e metrove dhe anijeve janë pezulluar, ndërsa të gjitha fluturimet dalëse dhe udhëtimet me trena janë anuluar.

Banorët janë këshilluar që të mos largohen, ndërsa nëpër rrugë raportohet se janë vënë bllokada.

Gjetjet fillestare janë se virusi ka nisur të shpërthejë te njerëzit që kanë punuar ose vizituar një treg ushqimor në periferi të qytetit Vuhan, në fund të muajit të kaluar.

Megjithatë, ekspertët nuk e kanë krijuar plotësisht rrugën e transmetimit.

Sipas tyre, virusi me gjasë përhapet nga kafshët te njerëzit, por nuk është përjashtuar as mundësia e transmetimit midis njerëzve.

Virusi i ri mund të shkaktojë sëmundje nga ftohja e zakonshme deri te Sars-i.

Sars – sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes – ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-3.

Viti i Ri Hënor – që shënon fillimin e një viti të ri në kalendarin tradicional kinez – festohet të shtunën.

Raste me këtë lloj koronavirusi u shënuan edhe jashtë Kinës, përfshirë: Shtetet e Bashkuara, Singaporin, Nepalin, Tajlandën, Korenë e Jugut etj. /REL