Viola von Cramon: Kosova ka bërë përparim, por ende ka sfida

Luftimi i krimit të organizuar, përkushtimi ndaj vlerave demokratike dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian kanë qenë disa nga fushat për të cilat Viola Von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, i ka përgëzuar Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës.

Në konferencën për media, pasi që Parlamenti Evropian votoi raportin për Kosovën dhe Serbinë, Cramon tha që raporti i Parlamentit Evropian shënon një gurthemel të rëndësishëm në rrugën e Kosovës kah integrimi në BE dhe fuqizimin e institucioneve demokratike.

“Raporti i PE është një vlerësim shterues për përparimin dhe arritjet që i ka arritur vendi në sektor të ndryshëm. Do të doja të falënderoj popullin e Kosovës për një përparim substancial në vitet e fundit për përkushtimin në vlerat demokratike, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe përafrimit me politikat e BE-së, është diçka që përshëndetet nga PE”-tha ajo.

Mirëpo ajo poashtu tha që Kosovën ende e presin edhe shumë sfida.

“Është me rëndësi që të dihet fakti se ende ka sfida të shumta. Raporti thekson fushat në të cilat duhet fokus, si lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, tranzicioni energjetik dhe konsolidimi i rendit dhe ligjit”- tha ajo

“Raporti thekson nevojën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe krijimit të një shoqërie që është gjithëpërfshirëse dhe respekton diversitetin”- vazhdoi ajo.

Sipas saj, ashtu siç edhe theksohet në raportin e miratuar sot, Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e dialogut.

“Theks i veçantë i vendoset dialogut me Serbinë, presim zbatimin e marrëveshjeve si të Brukselit ashtu edhe të Ohrit nga të dy vendet. Miratimi i këtij raporti nuk është simbolik, mbanë implikime të shumta për të ardhmen e Kosovës dhe për aspiratat e saj në integrimin evropian”- theksoi ajo.

Eurodeputetja Cramon ka theksuar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështet Kosovën në aspirata e saj integruese, dhe është i gatshëm që të ofrojë ndihmë në tejkalimin e sfidave që e presin.

“Bashkësia Evropiane qëndron fuqimisht me Kosovën duke i përkrah aspiratat e saj dhe ofruar ndihmën dhe ekspertizën për ti tejkaluar pengesat në rrugën e saj drejt BE-së. Miratimi i këtij raporti është një sinjal i qartë se Kosova është një partner vlefshëm dhe BE mbetet e përkushtuar për zhvillimin stabilitetin dhe prosperitetin e saj”- theksoi ajo.

Sot Parlamenti Evropian ka miratuar dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.

Këto janë raportet e fundit vjetore për Kosovën dhe Serbinë nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, pasi në fund të majit apo në fillim të qershorit të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane.

Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.

Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në Rezolutën për Serbinë është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

PE miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë