Foto: Facebook / Fatmir Mediu
Viktimat nga shpërthimi në Gërdec pranohen si palë në gjykimin e Fatmir Mediut
Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e familjarëve të viktimave dhe të dëmtuarve në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec ku humbën jetën 26 persona, duke u dhënë të drejtën që të dëgjohen dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Seanca e të mërkurës në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me procesin penal në ngarkim të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec ku humbën jetën 26 persona, u duk se do të përfundonte shpejt ashtu si dhe seancat e mëparshme dhe do të shtyhej.
Mediu dhe përfaqësuesit e tij ligjorë, avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha nuk ishin të pranishëm kur gjyqtarja Irena Gjoka kreu apelin. I pranishëm ishte avokati i caktuar kryesisht në seancën parardhëse, Artan Simoni, i cili mori përsipër mbrojtjen e Mediut në mungesë të avokatëve të zgjedhur prej tij. Por, avokati Simoni kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen duke e cilësuar voluminoze.
Sapo Simoni paraqiti kërkesën për më shumë kohë, në sallë hyri nxitimthi avokati Ardian Visha i zgjedhur prej Mediut. Me mbërritjen e tij, gjyqtarja Irena Gjoka vërejti se gjykimi i çështjes mund të vijonte.
Në vijim, Gjoka bëri me dije se kishte një kërkesë të re familjarëve të viktimave dhe të të dëmtuarve për t’u legjitimuar për të qenë palë në gjykim. Një prej tre prokurorëve që përfaqësojnë Prokurorinë e Posaçme në këtë çështje, Klodian Braho sqaroi se ishin njohur me kërkesën. Ai tha se megjithëse më parë një kërkesë e tillë ishte rrëzuar, kishte element të rinj dhe se duhej pranuar.
“Jemi dakord të legjitimohen në proces për të qenë palë. Ka edhe të tjerë që kanë pësuar dëmtime fizike”, pohoi Braho dhe sqaroi për gjykatën se gjeneralitetet e të gjithë të dëmtuarve dhe trashëgimtarëve ligjorë të viktimave janë të listuar në fashikujt e dosjes, ku sipas tij gjenden dhe adresat e tyre të kohës kur janë kryer hetimet fillestare.
Avokati Ardian Visha e cilësoi qëndrimin e prokurorisë si ‘të disatë nga sasia, por të ndryshëm nga cilësia’. Sipas Vishës, organi i akuzës e ka ‘ngjizur’ këtë kazus bazuar në një letër të familjarëve. Ai sulmoi vendimin e Apelit që i hapi rrugën gjykimit të Mediut, por gjyqtarja Gjoka i tërhoqi vëmendjen që të mos fyente gjykatën.
Visha këmbënguli se nuk kishte vepër penale. Sipas tij, edhe nëse do të kishte, nuk ka mundësi procedimi. Në vijim, Visha ju drejtua gjykatës duke konstatuar se në një vendimmarrje të mëparshme ishte përcaktuar se vepra penale që i ngarkohej të mbrojturit prej tij, nuk kishte lidhje me viktimat.
“Prokuroria harron se ka një gjykim për viktimat në Gjykatën e Lartë”, vërejti Visha duke pretenduar se nuk kishte lidhje mes këtyre dy çështjeve.
Edhe pas seancës, avokati Visha deklaroi për mediet se gjykata dhe prokuroria e kanë një vendimmarrje për mospranimin në gjykim të viktimave dhe se nuk kishte asnjë lidhje me çështjen e Gërdecit ndërsa vendimmarrjen e të mërkurës e cilësoi diametralisht të kundërt. “Nuk është normale që të ketë një qëndresë të dy kaheve të ndryshme në një kohë të shkurtër”, pohoi Visha dhe shtoi se dhe ata do të mbanin qëndrimin e tyre taktik në lidhje me procesin.
Pasi u tërhoq, gjyqtarja Gjoka bëri me dije se kishte vendosur pranimin e kërkesës, duke i thirrur në gjykim familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në cilësinë e viktimës dhe të dëshmitarit, për të mbrojtur të drejtat e tyre, si dhe në kuadër të një procesi të rregullt ligjor.
Ajo sqaroi se njoftimi ishte i vështirë pasi ishin rreth 290 persona që duhej të njoftoheshin në adresat e dhëna prej tyre vite më parë. Për këtë arsye, vendosi që njoftimi të kryhet me shpallje publike në ambjentet e gjykatës dhe në faqen online të saj. Për të kryer njoftimin dhe për tu dhënë të drejtën viktimave që të paraqiten edhe me përfaqësues ligjorë, gjykata vendosi shtyrjen e seancës në afatin maksimal 15 ditor, për më datë 22 qershor, në orën 14:00.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, Zamira Durdaj, gruaja që humbi djalin 7 vjeç nga shpërthimi dhe u bë simbol i përpjekjeve për drejtësi, e cilësoi si një fitore të vogël vendimmarrjen e gjykatës për pranimin e kërkesës së saj dhe të dëmtuarve të tjerë për t’u legjitimuar si palë në proces. “Këtë unë e kam kërkuar që nga 2009-ta, edhe në Strasburg e kam këtë dosje. Tani nuk e dimë, të shikojmë se si do eci”, pohoi Durda.
Përfaqësuesi ligjor i familjarëve të viktimave të Gërdecit, avokati Dorian Matlija theksoi se ata kanë të drejtë të bëjnë kërkime mbi çdo gjë që do t’i nënshtrohet gjykimit, bazuar në parimin e kontradiktoritetit. Sipas tij, në kushtet e gjykimit të shkurtuar nuk mund të paraqiten prova të reja, por nëse do të ketë një ndryshim të gjykimit, nga ai i shkurtuar, në të zakonshëm, atëherë mund të trajtohen të gjitha provat. “Interesi i familjarëve gjatë këtyre 15 viteve nuk ka qenë për të vendosur një njeri pas hekurave, por për të zbardhur ngjarjen. Nuk ka gjë më të mirë se të bëhet një gjykim i zakonshëm dhe të zbardhen detajet e asaj ngjarjeje”, pohoi Matlija.
SPAK dërgoi për gjykim më 8 shkurt 2023 çështjen penale në ngarkim të Fatmir Mediut, i pandehur për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitësh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për ta hetuar.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi prokurorinë për mos ushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, duke argumentuar se vepra penale është parashkruar. Ky vendim u rrëzua si i pabazuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 24 shtator 2021, që i hapi rrugë procedimit të Mediut./Reporter.al