Viktima të reja në protestat anti-qeveritare në Irak

Tre persona u vranë në përleshjet me forcat e sigurisë, gjatë protestave anti-qeveritare, të premten në Bagdad.

Protestat kanë nisur qysh në muajin e kaluar dhe në to kanë mbetur të vrarë mbi 340 njerëz, ndërsa të plagosur mijëra.

Me javë të tëra, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, duke e fajësuar atë për korrupsion dhe për përkeqësimin e kushteve të jetesës.

Autoritetet, në disa raste, kanë thënë se problemet e Irakut “nuk mund të zgjidhen brenda natës”.

Të premten, forcat e sigurisë i qëlluan turmat e njerëzve në Bagdad, duke vrarë tre protestues dhe plagosur 30 të tjerë, konfirmuan burimet spitalore.

Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë, por niveli i përgjithshëm i varfërisë qëndron në mbi 20 për qind të popullsisë.

Papunësia e të rinjve është 25 për qind – dyfishi i nivelit të përgjithshëm. /REL