Viktima: Dhuna nga burri im u tolerua e nuk u ndëshkua

Shifrat e rasteve të dhunës në familje vazhdojnë të rriten nga viti në vit.

Vazhdimisht raportohet për rastet e dhunës në familje e po ashtu rastet kur ka pasur pretendime se shteti ka dështuar t’i mbrojë viktimat.

Viktimë e dhunës në familje është edhe një grua nga Peja.

Në një rrëfim për emisionin “Kallxo Përnime”, ajo pretendon se ndihet e frikësuar çdo ditë dhe zgjohet me frikën se diçka e keqe mund t’i ndodhë.

Ajo rastin e parë të raportuar në organet shtetërore e ka në vitin 2011.

Atëherë ajo kishte marrë urdhër mbrojtës nga shteti.

Por, gruaja u kishte besuar pretendimeve të burrit të saj dhe ishte bashkuar me të.

Dhuna, sipas pretendimeve të saj, ka vazhduar deri në vitin 2022, kur ajo përsëri ka marrë urdhrin mbrojtës, i cili është në fuqi ende edhe pse i njëjti nuk është zbatuar nga i dyshuari.

Kryerësi i kësaj dhune nga gjykatat tona është dënuar vetëm një herë, tash së fundmi, me dënim me gjobë dhe kusht.

Ai vazhdon t’i ketë të ngritura edhe disa aktakuza të tjera të cilat pritet të trajtohen në Gjykatën e Pejës.

Gjykata e Pejës ka thënë të kundërtën e asaj që po pretendon Prokuroria se i dyshuari ka të ngritura disa aktakuza.

Gruaje pretendon se nga frika nuk ka guxuar të qëndrojë në shtëpi dhe është detyruar të shkojë në stacionin policor për t’u mbrojtur.

Ajo ka treguar edhe fotografitë e djalit të saj duke i bërë detyrat e shtëpisë brenda stacionit policor në Pejë.

Sipas saj, fëmija u detyrua t’i bënte detyrat sepse ajo ishte e kërcënuar dhe po rrinte në staciononin policor duke mos guxuar të shkojë në shtëpi nga frika prej burrit.

“Prej frikës e kërcënimeve që mora u detyrova me i marrë fëmijët nga shkolla e me shku në stacionin policor, në fotografi është djali duke i bërë detyra në stacionin policor se s’disha çka me bo, kah me shku, sepse ai ish në arrati e këndej Policia më thoshin s’po mundemi me gjetë”- tha ajo.

Nga frika e gruas që të dalë në rrugë për t’i dërguar fëmijët në shkollë, dy fëmijët e vegjël për disa javë e kanë humbur mësimin gjatë vitit 2022.

“Këta dy të vegjlit shumë herë e kanë hupë mësimin sepse unë nuk kam guxuar me dalë e me i dërgu në shkollë, edhe mësimin e kanë lëshuar shumë sepse po përballen me këto probleme”- thekson ajo me lot në sy.

Gruaja pretendon se është pjesë e dhunës në familje që disa vite dhe nga frika u detyrua të duronte dhunën dhe mos ta raportonte atë se sa herë ka ndodhur.

Nëna e 4 fëmijëve ishte e martuar për 15 vite me burrin e saj.

Pretendimet janë se dhuna fizike kishte filluar pas 5 jave martesë dhe rasti i parë i lajmëruar në Polici ishte pas disa viteve martesë.