Isa Mustafa dhe Hashim Thaci pas arritjes se marreveshjes per koalicion

Vijat e kuqe ndaj PDK-së, Mustafa thotë se Këshilli i Përgjithshëm vendos për bashkëpunim me partinë e Kadri Veselit

Shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se vendi gjendet në një realitet të ri, i cili nuk i duron dot qëndrimet që pamundësojnë një bashkëpunim me partinë e Kadri Veselit, Partinë Demokratike të Kosovës.

Por, ky mund të konsiderohet vetëm qëndrim personal i kryetarit të LDK-së. Sepse, sipas tij, qëndrimin final e merr organi më i lartë i partisë, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

“Çdo vendim që është marrë në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së mund të ndryshojë vetëm ky Këshill. Prandaj edhe vendimin/qëndrimin për të mos bërë koalicion me PDK-në mund ta ndryshojë vetëm ky Këshill, varësisht nga vlerësimi i situatës së re dhe qëndrimi i shumicës. Jam shprehur se tani po ballafaqohemi me një realitet të ri, i cili i nuk i duron vijat e kuqe, por qëndrimi përfundimtar mbetet i Këshillit të Përgjithshëm”, ka thënë ish-kryeministri kosovar për KALLXO.com.

Togfjalëshi “vijat e kuqe” përmend shpesh në diskursin e politikës kosovare. Ato interpretohen nga partitë politike kur dëshirojnë të përjashtojnë nga bashkëpunimi një tjetër subjekt politik.

Kështu thoshte LDK edhe në vitin 2014. Atë botë, vetë kreu i LDK-së pati ndryshuar qëndrim dhe pati lidhë koalicion për bashkëqeverisje me Hashim Thaçin dhe PDK-në.

Por, puna në ekzekutivin kosovar nuk u shkoi gjatë bashkë. PDK pati vendos që përmes një mocioni të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës ta rrëzojë nga qeveria Isa Mustafën. Thaçi, me përkrahjen e Mustafës ishte votuar për presidentit të vendit.

E, pas gati pesë viteve, “vijat e kuqe” ishin sërish pjesë e diskursit të partisë së Isa Mustafës. Këtë herë, me kandidaten për kryeministre, Vjosa Osmani, ishte paralajmëruar që nuk do të ketë bashkëpunim me PDK-në.

Por, tani, sërish vijat e kuqe kanë nis të jenë të diskutueshme.