Vidhen stoqe të bakrit në Trepçë

Një vjedhje e stoqeve të bakrit ka ndodhur ditëve të fundit në Ndërmarrjen Publike ‘Trepça’ në Mitrovicë.

Ende nuk dihet sasia dhe vlera e bakrit të vjedhur, por që Policia po merret me rastin.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Enes Muzaqi, ushtrues i detyrës së Kreshefit Ekzekutiv të Trepçës.

Muzaqi ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme është kuptuar se ka ndodhur vjedhja, ndërsa është formuar një komision i brendshëm për të hetuar rastin.

“Ne kemi formu një komision të brendshëm, me të cilin është konfirmu vjedhja. Ka ndodhur gjatë këtyre ditëve të pushimit të gjatë që ka qenë rreth 4 ditë. Janë duke u marrë organet gjegjëse me rastin”, ka thënë Muzaqi për KALLXO.com.

Ai ka thënë se për sasi ende nuk ka informatë të saktë.

“Për sasi nuk mundem me të konfirmu, sepse është edhe Derpartamenti i Sigurisë Juridike e cila po merret. Nuk e dijmë saktë kur ka ndodh, por dje është marrë vesh vjedhja”, ka thënë Muzaqi.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje prej Policisë së Kosovës, por deri në momentin e publikimit të lajmit, Policia nuk ka kthyer përgjigje.