Vidhen pajisje të prodhimit të kriptovalutave në Podujevë, arrestohen dy persona në Obiliq

Dy persona janë arrestuar në Obiliq nën dyshimin për vjedhje të disa pajisjeve për prodhim të kriptovalutave digjitale.

Policia ka njoftuar se rasti është denoncuar në polici gjatë ditës së djeshme.

Ankuesi ka raportuar se më 5 korrik, pra dy ditë më parë në Podujevë i ishin vjedhur pajisje teknologjike vlera e së cilave është dhjetëra mijëra euro.

“Policia menjëherë pas denoncimit, kishte nisur një hetim për ndriçimin e rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës.

Progresi i hetimit të rastit pati për rrjedhojë organizimin e një operacioni bastisjeje në dy lokacione të ndryshme si dhe ndalimin e një automjeti të dyshuar që rezultoi me  identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve si dhe sekuestrimin e gjësendeve që dyshohet të jenë vjedhur në rastin në fjalë.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë arrestuar, me rekomandimin e prokurorit të shtetit të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, duke u proceduar më tutje në fazat e mëtejme të hetimit të këtij rasti.