Foto: Ilustrim

Vidhen 5 nxehëse elektrike në një shkollë në Klinë, arrestohen 4 persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona, ndër ta tre të mitur, nën dyshimin se kanë vjedhur nxehëse elektrike në shkollën fillore “Nëna Terezë” në fshatin Budisalc të Klinës.

Sipas njoftimit, më 3 nëntor Policia ka marrë ankesë, se persona të panjohur kanë hyrë me forcë në shkollë dhe kanë vjedhur 5 nxehëse elektrike.

“Hetuesit e Stacionit Policor në Klinë, pas një pune operativo-hetimore, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë, 4 persona të dyshuar, 3 nga ta persona të mitur”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit me prezencën e avokatit, prindërve dhe punëtorit social janë intervistuar, të njëjtit e kanë pranuar veprën, ndërsa sendet e vjedhura i janë kthyer shkollës.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit  të shtetit, të dyshuarit janë liruar, ndërsa rasti shkon në procedurë te rregullt.