Videoja e qytetarit që dyshohet se goditi këmbësorin, Policia dhe Prokuroria thonë se janë duke hetuar rastin

Aleksandar Arsenijoviq, kandidat nga partia serbe Gradannska Inicijativa Srpski Opstanak për zgjedhje të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut ka publikuar një video në të cilën shihet një person teksa godet me veturë një këmbësor.

Arsenijoviq pretendon se ngjarja ka ndodhur në komunën e Leposaviqit

“Më ka tmerruar skena e komunës së Leposaviqit ku një burrë (nëse mund të quhet kështu) shkel një njeri në rrugë në mungesë të policisë, duke plotësuar disa nga tekat e tij personale”- ka shkruar Arsenijoviq.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë në Mitrovicë për të sqaruar rrethanat e rastit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti tha se për videon janë njoftuar nga rrjetet sociale dhe se policia është duke e hetuar rastin.

Hoti ka thënë se për këtë rast nuk kanë pasur ndonjë ankues dhe se nuk dihet koha dhe lokacioni se kur ka ndodhur.

“Autenciteti i kësaj video nuk dihet. Nuk kemi ankues në lidhje me rastin dhe nuk dihet koha se kur ka nodhë apo edhe lokacioni i saktë. Na e kemi marrë informacionin prej rrjeteve sociale, e kemi njoftu prokurorinë dhe do të shohim më tutje se çka do të bëhet”- është prononcuar Hoti.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha se prokuroria ka kontaktuar dhe udhëzuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rastit.

“Ju njoftojmë që Prokuroria Themelore e Mitrovicës menjëherë ka kontaktuar dhe udhëzuar Policinë e Kosovës që rasti të hetohet dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore sipas ligjit, për verifikimin e rrethanave dhe ndriçimin e këtij rasti, përfshirë identifikimin e personit të dyshuar – vozitësit të automjetit, këmbësorit që është shkelur me veturë, intervistimin e personit që e ka publikuar videon dhe personat tjerë që kanë njohuri lidhur me rastin”- ka thënë Preteni për KALLXO.com.

“Po ashtu, të verifikohet koha, vendi, motivi dhe rrethanat tjera relevante lidhur me rastin”- shtoi ai.