Videoja e një qytetari '50 mijë euro shpërblim për dëshmitarët', një ndër arsyet për vazhdimin e paraburgimit ndaj krerëve të UÇK-së në Speciale

Një video e një qytetari, Sokol Halili, është përdorur si dëshmi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për të kërkuar vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit.

Video dhe raportimi nga një media lokale në Skenderaj përshkruan se Halili ka premtuar 50 mijë euro për ata që do t’i gjenin emrat e “dëshmitarëve tradhtarë”, “spiunëve” dhe “veteranëve të rrejshëm”.

“Kolegji rikujtoi se gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se ekziston rreziku i Jakup Krasniqit në pengimin e procedurave bazuar në pozicionin e tij të ndikimit, publikun e tij dhe deklaratat që kritikojnë KS, dhe përmbajtjen e një postimi në Facebook të 24 prillit 2020 duke synuar bashkëpunëtorët” – thuhet në vendim.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen me 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për periudhën 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.

Ata janë arrestuar në vitin 2020 dhe deri më tani Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një parashtrese të publikuar, ndër arsyet për vazhdimin e paraburgimit përmendet edhe rreziku i lartë i kërcënimeve dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve apo anëtarëve të familjes së tyre.

Specialja bën të ditur se një artikull i fundit në lajme raporton për një milioner nga Skënderaj që ofron një shpërblim prej 50,000 € për çdo person që i sjell atij informacion të saktë në lidhje me ‘dëshmitarët tradhtarë’, ‘spiunët’ dhe ‘veteranët e rremë’ që po dëshmojnë kundër çlirimtarëve në Hagë.

“Dëshmitarët stigmatizohen si “Tradhtarët” apo “bashkëpunëtorët”, nuk janë në gjendje të flasin lirshëm për ngjarjet që ata iu nënshtruan, i nënshtrohen kërcënimeve dhe kanosjeve dhe jetojnë në frikë të vazhdueshme se diçka do t’u ndodhë atyre ose familjes së tyre”.

“Shtrirja e plotë e këtij problemi është paraqitur në një artikull lajmesh edhe më të fundit duke pretenduar se një milioner nga Skenderaj po ofron një shpërblim prej 50,000 € për çdo person që i sjell atij informacion të saktë për ‘dëshmitarët tradhtarë’, ‘spiunët’ dhe ‘veteranët e rremë’ të cilët po dëshmojnë kundër ‘çlirimtarëve’ në Hagë dhe ofrojnë një video të individi që bën këtë ofertë dhe siguron informacionin e tij të kontaktit”- thuhet në parashtresë.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, kjo video tregon se ka rrezikshmëri në lidhje me ndërhyrjen në dëshmitarë, dhe për këtë arsye është e nevojshme që masa e paraburgimit për Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin t’u vazhdohet.

Paraburgimin më tej Specialja e ka justifikuar edhe me tre pika sipas nenit 41 (6) si: rreziku i arratisjes; pengimi i mundshëm i procedurave; dhe rreziku i krimeve shtesë.

Në vendim tutje thuhet se në shqyrtimin e fundit të paraburgimit, ky Panel konstatoi se paraburgimi i Krasniqit edhe për dy muaj ishte i nevojshëm dhe e arsyeshme në rrethanat specifike të çështjes.

Për arsyet e lartpërmendura, PSP-ja parashtron se Krasniqi duhet të mbetet i ndaluar.

Më 30 shtator 2022, ZPS dorëzoi aktakuzën e ndryshuar e cila aktualisht  është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të krijuara nën bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Këto institucione janë përkohësisht të themeluara me mandat dhe juridiksion të caktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera në Kosovë për periudhën 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.

Krimet pretendohet se janë kryer nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë sipas legjislacionit të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë selinë në Hagë, Holandë dhe personeli i tyre është i përbërë nga profesionistë ndërkombëtarë, përfshirë gjykatës, prokurorin e specializuar dhe administratorin.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.