(VIDEO) Zbulohet një tjetër arsenal i madh armësh tek Xhamlliku

Dy baza të tjera që shërbenin për modifikimin dhe magazinimin e shitjes së armëve luftarake nga grupe kriminale që kryenin krime kundër personit janë zbuluar mëngjesin e sotëm , 10 prill 2021.

Një arsenal mjaft i madh armësh është gjetur i fshehur në magazinën e shtetasit Sokol Xhura, i cili është shpallur më herët në kërkim.

Bëhet fjalë për ambientet e ish ndërmarrjes artistike “Migjeni” pranë ish-oxhakut të kësaj ndërmarrje, në një ambient të izoluar plotësisht me mur.

“Policia gjyqësore, pasi ka realizuar rrëzimin e murit, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur një arsenal mjaft i madh, armesh të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj” informon SPAK.

Për hollësi të mëtejshme, do të vijojë një komunikatë e detajuar nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me datë 03.03.2021 ka regjistruar procedimin penal nr.52 per veprat penale te “Vrasjes me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim në formën e ”Grupit të strukturuar kriminal”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armeve, armeve shperthyese dhe municionit”, ”Grupit të strukturuar kriminal” vepra penale te parashikuara nga nenet 78/2, 22, 152, 278, 28/4, 333/a dhe 334/1 te Kodit Penal, në ngarkim të personave nën hetim Gj.Cukali, E. Jamaku dhe E. Jamaku.

Pas hetimeve të mëtejshme, janë kryer kontrolle dhe ndaluar dhe arrestuar një numër personash për veprat penale të “Trafikimi i armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në kuadër të ”Grupit të strukturuar kriminal’, ”Prodhimi dhe mbajtjes së armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Kanosja”, etj, të parashikuar nga nenet 278/a, 28/4, 333/a, 334/1, 278 dhe 84 të K.Penal.

Ky hetim ndiqet në dinamikë me policinë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Në datë 09.04.2021, nga ana e prokurorisë së posaçme, është kërkuar Gjykates se Posaçme te Shkalles se Pare për Korrupsionin dhe Krimin te Organizuar, lejimi i kontrollit të ambienteve të të hetuarit në këtë procedim, shtetasit Sokol Xhura, i biri i Ismail-it dhe i Zeliha, i datëlindjes 16.03.1978. oranews