Gjendja ne Viva Fresh Store - Lagjja Dragodan
VIDEO: Zbrazen dyqanet, qytetarët blejnë masivisht mallra ushqimore
Edhe pse ende nuk është konfirmuar ndonjë rast me coronavirus në Kosovë, qytetarët e Kosovës kanë filluar të mobilizohen.
Ata kanë filluar të blejnë gjëra ushqimore në markete të ndryshme.
KALLXO.com ka vizituar disa markete në Prishtinë, ku gjatë vizitës ka gjetur se shumica e rafteve që përmbajnë produkte ushqimore bazë: miell, sheqer, kripë… janë të zbrazura.
Qytetarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë për KALLXO.com se dëshirojnë të jenë të gatshëm për çfarëdo situate.
“Ne po blejmë gjëra në mënyrë që nëse lajmërohet ndonjë rast të jemi të gatshëm dhe të mos dalim në ambiente të hapura”, tha njëri nga qytetarët deri po blinte gjësende në marketin “Interex”.
Një tjetër qytetar, po kërkonte miell në marketin “ETC” në hyrje të Fushë Kosovës, por për fat të keq nuk kishte mbetur asnjë thes.
Ai po kërkonte ndihmë nga sektoristi për t’u furnizuar me të, por ky i tha se nuk kanë mbetur dhe furnizimi do të bëhet nesër.
“Kemi ardhur të furnizohemi të paktën me gjërat elementare se gjendjes nuk i dihet, në Shqipëri është lajmëruar e po pritet dita ditës edhe këtu”, tha qytetari, i cili po ashtu deshi të mbetët anonim.
KALLXO.com po ashtu ka vizituar edhe disa dyqane të “Viva Fresh Store”, “Super Viva”, “Meridian” e “Albi Market” në lokacione të ndryshme.
Në të gjitha këto markete është parë se në raftet e produkteve bazë ka mungesë të theksuar të tyre dhe interesim të qytetarëve për t’i blerë ato.
Por, asnjëri prej menaxherëve të disa pikave të këtyre markete nuk kanë pranuar të flasin për KALLXO.com, duke thënë t’i drejtohemi menaxhmentit kryesor.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të tyre, për të marrë sqarime se a kanë mjaftueshëm produkte në stok që qytetarët të furnizohen ditëve në vijim dhe është duke pritur përgjigje.
Sot, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e coronavirusit si pandemi.
Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme në Laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare janë testuar 7 mostra të dyshimta për coronavirus, por se kanë rezultuar negative.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë, ka rekomanduar qytetarët që t’i evitojnë udhëtimet e planifikuara brenda dhe jashtë vendit, në veçanti në shtetet ku ka raste të konfirmuara të coronavirsit, duke përfshirë shtetet fqinje: Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi.
Kurse, në Shqipëri sot është shënuar viktima e parë nga ky virus dhe deri më tani janë shënuar 12 të prekur.
Sipas të dhënave të Index.hr aktualisht në botë janë 121,487 të prekur me Coronavirus, 4,382 kanë vdekur nga virusi dhe 66,912 janë shëruar.