VIDEO - Vrasja në Prizren, fjalët e para të Dibran Hoxhës

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar masën e paraburgimit për Dibran Hoxhën dhe pesë të dyshuarve të tjerë për rastin e vrasjes së rëndë, mëngjesin e së martës, më 3 janar 2023 në një lokal nate në Prizren.

Dibran Hoxha po dyshohet se ka shtënë në drejtim të tre shtatasve të Shqipërisë derisa sa kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Cobra City”.

Hoxha në fjalën e tij para Gjykatës, ka folur për të pandërhurin Enver Amrllahi, për të cilin ka thënë se është vëllai i tij nga nëna.

Hoxha ka thënë se Amrllahi në momentin kritik nuk ka qenë në vendin e ngjarjes.

“Pajtohem me fjalët e avokatit, por deshta me shtu edhe diçka në lidhje me Enver Amrllahin, është vëllai prej nane. Ky ka ardhë mbasi ka ndodh, mbasi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka te lokali. Ky ka ardhë mbasi, me Policinë, mbrapa krejt kur janë marrë deklaratat e krejt”- ka thënë Hoxha në fjalët e para pas vrasjes.

Ai ka thënë se Amrllahi ka shkuar në vendin e ngjarjes pasi dikush e ka informuar se Dibran Hoxha, është i vrarë.

“I pandehuri Dibran Hoxha, deklaron se pajtohet në tërësi me theksimet e mbrojtësit të tij sa i përket kërkesës së prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, po ashtu shton se i pandehuri, Enver Amrllahi në momentin kritik nuk ka qenë në vendin e ngjarjes ashtu siç përshkruan prokurori i shtetit, por i njëjti ka ardhur pasi që ka marrë informatën që unë jam i vrarë” – ka thënë gjykatësja Teuta Krusha pas fjalës së të pandehurit.

Dibran Hoxha ka thënë se personat e tjerë nuk janë punëtorë në lokalin e tij.

“Vetëm i pandehuri Armend Vezaj është punëtor i lokalit ‘Cobra city’, kurse të tjerët janë klientë në këtë lokal të cilët atë natë kanë qenë rastësisht atë natë aty”- ka thënë Hoxha.

Lidhur me këtë rast të mërkurën prokurorja Nazan Shero ka kërkuar paraburgim për të dyshuarit.

Sipas Prokurorisë janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.

“Konsideroj se paraburgimi është masë adekuate për këtë fazë”- tha mes tjerash prokurorja Nazan Shero.

Prokuroria kërkon paraburgim për Dibran Hoxhën dhe të dyshuarit e tjerë

Nexhat Elshani mbrojtës i Dibran Hoxhës ka thënë se kërkesa e paraburgimit nuk ka mbështetje ligjore pasi nuk janë plotësuar kushtet e karakterit material për aprovimin e kërkesës.

“Paraburgimi është një masë e rëndë andaj i propozoj gjyjatës që të njëjtën ta refuzojë si të pabazë”- u shpreh Elshani.

Avokati Nexhat Elshani ka konsideruar se nuk ka bazë pasi nuk ka dyshim të bazuar siç parashihet në ligj.

“I mbrojturi im dyshohet për tri vepra penale, por nuk ka dyshim të bazuar për vrasjen e rëndë. Nuk ka dyshim te bazuar as për mbajtje në pronësi të armës ngase në zinxhirin e ruajtjes nuk ka armë, kurse sa i përket veprës manipulimi me prova i mrojturi im nuk ka qasje në kamera pasi të njëtat janë marr para një viti për një rast tjetër”- ka thënë avokati.

Avokati më tej ka thënë se Dibran Hoxha vetë e ka lajmëruar rastin dhe është paraqitur në polici.

Mëngjesin e 3 janarit të këtij viti, në parkingun e lokalit “Kobra City” ndodhi një vrasje, ku dyshohet që dorasi është pronari i lokalit, Dibran Hoxha.

Nga ky konflikt mbeti i vrarë një shtetas i Shqipërisë nga Kukësi, ndërsa një tjetër i plagosur.

Për këtë rast janë arrestuar 6 të dyshuar, prej tyre edhe i dyshuari kryesor, Dibran Hoxha.

Shkak i këtij konflikti dyshohet se është pagesa e një fature.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet se ka shtënë në drejtim të tre shtetasve të Shqipërisë derisa kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City”.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, Dibran Hoxha po dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë si dhe mbajtje të pa-autorizuar të armës.

Në dosje thuhet se Dibran Hoxha dyshohet se në natën kritike kishte asgjësuar provat, duke e hequr pajisjen e “Divijarit ” nga lokali i tij, Kobra City, me qëllim që të pamundësohet shfrytëzimi incizimeve që do të shërbenin si provë në gjykim.

Ndërsa të dyshuarit e tjerë në këtë rast janë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badallaj, Kujtim Gashi dhe Enver Amrullahi.

Të njëjtit dyshohen se në datën dhe kohën e njëjtë kanë marrë pjesë në rrahje në po të njëjtin lokal ku kishte mbetur i vrarë një shtetas i Shqipërisë ndërsa një tjetër kishte mbetur i plagosur.

Dosja e Prokurorisë – Çka ndodhi me video-incizimet e lokalit ‘Kobra City’?