Foto: KALLXO.com

VIDEO - Vjosa Osmani ‘përplaset’ me bashkëpartiakun Driton Selmanaj

 

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe bashkëpartiaku i saj, Driton Selmanaj, deputet i LDK-së dhe kryetar i Komisionit për Legjislacion janë ‘përplasur’ në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Deri te kjo përplasje ka ardhur pasi që Osmani ka thënë se i është drejtuar Komisionit për Legjislacion për ta identifikuar masat që duhet ti ndërmarr Kuvendi, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Legjislacion tha që interpretimi i kryeparlamentares është përpjekje për legjitimimin e qeverisë Kurti.

“Ne kemi trajtu shkresën e juj, dhe interpretimi jonë nuk është ashtu siç thoni ju, interpretimi i jon është që Gjykata i ka dhënë kohë qeverisë dhe Kuvendit deri më datën 13 që eventualisht të marrë masa, dhe ka ardhur në përfundim që sjellja e qeverisë ka shkelë Kushtetutën, interpretimi që po bëni ju është përpjekje me e legjitimu sjelljen e kësaj qeverie”, tha ai.

Ndërsa reagoi kryeparlamentarja Osmani duke thënë që deputeti Selmanaj është duke dezinformuar.

“Jeni tu e keqpërdor të drejtën e juaj për të folur, duke i dezinformuar të gjithë qytetarët e Kosovës, fjalën ta dhashë me fol për çështjen e mocionit, nëse fol për çështjen e mocionit fol, nëse jo regjia ja ndal fjalën”, tha ai.

Pasi që deputetit Selmanaj iu ndalua fjala nga regjia, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kërkoi që t’i jepet fjala deputetit Selmanaj dhe ti kthehen gjuhës parlamentare.

Ndërsa kryeparlamentarja tha që deputeti Selmanaj e ka ofenduar se kështu që nuk do të lejoj një gjë të tillë.

Kuvendi është duke mbajtur seancën e jashtëzakonshme për miratimin e pakos emergjente prej 320 milionë eurove të propozuar nga PDK.